Libra

Libra për Shtator

Maniakë t’Leximit ka vendosur të ju ofroj disa alternativa të mira për të lexuar gjatë shtatorit. Për këto alternativa kemi zgjedhur dhe pyetur disa nga lexuesit më aktiv kosovar në rrjetin shoqëror Goodreads. Në fund kemi përpiluar një listë që besojmë se do të ju lehtësoj përzgjedhjen tuaj për librin/librat që do ti lexoni në shtator.

‘A Thousand Splendid Suns’ – Khaled Hosseini

“Ngjarja tek ky film i Hosseinit, shkrimtarit të njohur për ‘Fluturuesi i Balonave’ zhvillohet në Afganistan. Gjithçka nis me Afganistanin si një vend normal, për tu shndërruar dalëngadalë në një vend ekstremist. Libri pasqyron mentalitetin e njerëzve të këtij vendi, duke mos lënë mbrapa as historinë dhe njohuritë për vet këtë vend.

Më ka pëlqyer stili i shkrimit që përshkruan për mrekulli transformimin e lartpërmendur të këtij vendi, dhe ndikimin që ka ky transformim në jetën e personazheve” deklaron lexuesja Flutura Sadiku

 

‘The Boy in Striped Pyjamas’ – John Boyne

Hana Gashi në mesin e disa librave që ka lexuar ka veçuar këtë të novelistit irlandez. Për ‘The Boy in Striped Pyjamas ajo thotë:

“Osht liber qe m’ka shkatrru gjate leximit, edhe njo nder librat ma t’trishtum qe i kom lexu.

Libri osht drame e shkrume per nji ngjarje rreth vitit 1940 edhe flet per nji femije 8 vjecar, Brunon, djale i nji nazisti t’tmerrshem, e ky krijese e bute edhe e pafajshme, po fakti qe nuk o kon i vetdijshem per sende qe po ndodhim rreth tij, i ka kushtu shume. Baba i tij, krijese e lige, e i pashpirt, osht pergjegjes per vdekjem ma mizore t’mundshme t’qinda mijra njerzve, per t’cilet ai thote “Those people… well, they’re not people at all, Bruno.” Osht rreshti ma egoist edhe i tmerrshem qe e kom lexu. Nana e Brunos, gru qe s’ka ndikim n’burrin e vet, shpirt i trazum prej t’gjitha gjanave qe i bon burri i saj, osht ni personazh qe nuk tregon shume se sa t’forta jon femrat. Motra e Brunos, osht ma e madhe edhe kjo osht e vetdijshme cka po ndodhe rreth tyne, po osht perkrahse e babes t’vet qe ja ka mbush kryte me ide t’nazistave edhe e ka idol Hitlerin. Shoki i vetem i Brunos osht nji cifut qe jeton n’kamp t’koncentrimit qe osht afer shtepise t’Brunos, e lujne bashke me Brunon lojna t’ndryshme permes telave t’elektrizum. Libri e ka ni perfundim t’padrejte, drithrus edhe qe ja hap syte babes t’Brunos se cka o kon tu bo per shume vjet me rradhe.”

‘Outlander’ & ‘Shatter Me’

“‘Outlander’ është aq i mrekullueshëm sa as redaktorët nuk kanë mundur ti përcaktojnë qartazi zhanrin. Përshtatet me mister, romancë, fantazi, dramë, histori (përfaqësim i shkëlqyeshëm).

Nis me Claire Beauchamp Randall e cila pasi përfundon Lufta e Dytë Botërore, udhëton me të burrin në muajin e dytë të mjaltit në Skoci. Kur gabimisht ecën nëpër një gur antik ajo dërgohet në Skocinë e vitit 1743. Aty nisin edhe tregimet që do të ju mbajnë të lidhura me këtë seri librash të mahnitshëm” thotë njëra nga lexueset më aktive Shqiponja Alshiqi.

Ajo ka pasur edhe një propozim shtesë për neve lexuesve. “‘Shatter Me’ ndjek tregimin e 17 vjeçares të quajtur Juliette prekja e të cilës mund të vret njerëz. Ajo nuk ka prekur askënd në 264 ditë dhe herën e fundit që e ka bërë ishte kyçur nga Korrigjuesja – të cilët deklarojnë se janë duke e ndihmuar botën që po rrënohet, dalëngadalë. Është e shkruar mahnitshëm dhe ka karaktere të mrekullueshme. Zhvillimi i tregimeve dhe karaktereve njëkohësisht është i përkryer,” thotë Shqiponja duke na rikujtuar që ‘Outlander’ është seri librash, derisa ‘Shatter Me’ trilogji.

‘A Spy Among Friends’ – Ben Macintyre

Dhe Lirim Jusufi sjell një rishikim të librit të fundit të autorit britanik:

 “Një njeri me sekrete është një njeri me pushtet” – Aristoteli

Asnjëherë mos thuaj e njoh një njeri mirë. Ashtu mendoi edhe shoku i ngushtë i Kim Philby, Nick Elliott, por pas 35 viteve e kuptoi se kush ishte ai në të vërtetë.

Libri më i ri nga autori im i preferuar Ben Macintyre i cili mjeshtërisht sjell në pah jo për herë të parë por ndoshta në mënyrën më të kompletuar të mundshme për spiunin e dyfishtë Kim Philby i cili punonte në MI6 (Shërbimi Sekret i Britanisë) por që ishte zotuar kohë më parë të punonte për shërbimin sekret të Rusisë (NKVD) dhe pas Luftës së Dytë Botërore (KGB).

Lindur dhe rritur si anglez por ideali i tij komunist që e pranoi teksa studionte në Cambridge bëri që t’i bëjë ballë të gjitha vështirësive dhe stuhive që kalonin në zyrën e tij në Angli teksa barte informacione sekrete në shtetin rus. Mashtroi gratë e tij, shokët, kolegët dhe tek pas 35 viteve fytyra e tij e vërtetë iu pa nga kolegët e tij dhe nga shoku i tij i ngushtë Nick Elliott.

Shprehjet e tij të fytyrës dhe dinakëria e tij si para TV ashtu edhe para kolegëve të tij studiohet nga shumë agjenci botërore, se si një njeri duhet të mbajë sekrete pa u zbuluar nga tjerët.

Një skenar filmi por që bazohej totalisht në realitet mashtroi dy nga agjencitë më të mëdha në botë, atë të Britanisë dhe të Shteteve të Bashkuara për dekada me radhë.

Duke mos dëshiruar të zbulojë se si ai kuptohet se është spiun i dyfishtë, si e kupton këtë lajm shoku i tij i pandashëm nga MI6 Nick Elliott, çka ndodh me Kim Philbyn në fund ju sugjeroj ta lexoni këtë libër.

E bazuar në dokumentet e fshehta të MI5 (ndërkohë edhe turpi më i madh që i ka ndodhur Shërbimin Sekret Anglez deri më tani) që u bënë publike vite më vonë, autori në mënyrë brilante tregon dyanshmërinë e Philbyt, besnikërinë, besimin, ndërgjegjen dhe tradhtitë e tij.

Ata që janë të pasionuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë si dhe spiunazhit kjo duhet të lexohet patjetër dhe pastaj trilogjia tjetër e autorit Macintyre (Agent Zigzag, Operation Mincemeat dhe Double Cross).