Recensime Filmash

The LEGO Batman Movie (2017) – Recensim

Kur jemi tek Batman, gjithnjë e kam përmendur që nuk mund të jem objektiv. Qoftë edhe një film i bërë si LEGO lojëra.

Është një film i bërë nga njeriu ndër më të zotët në realizimin e animacioneve – Chris McKay. Ai ka pas vete nja dhjetë skenaristë, dhe kjo përkthehet në një film bukur të shkruar, të realizuar. Është një film plot komedi – tregimi, dialogët, skeçet, gjithçka. Më ka bërë të qesh shumë herë, dhe atë qeshje me kënaqësi që vinte edhe si rrjedhojë e zërave të përshtatur shkëlqyeshëm me skenarin.

Will Arnett në rolin e një Batmani që të kujtonte në sjellje e zë Donald Trumpin ka qenë i shkëlqyeshëm. Hezitimi i tij për familje, për lidhje familjare, deri tek përfundimi ka qenë shkëlqyeshëm i realizuar – skenari e zëri. Michael Cera vjen në rolin e Robin, Ralph Fiennes si Alfred, derisa Rosario Dawson në rolin e Barbara Gordon, pas pensionimit të Komisarit Gordon.

Ngjarja ka të bëj me Batmanin i cili refuzon Xhokerin dhe pretendimet e tij se pa njëri-tjetrin janë asgjë. Batman kthehet kah ajo vetmia e tij, duke mos lejuar kinse asnjë lidhje me askënd. Dhe kur Xhokeri vendos të dorëzohet bashkë me të tjerët kriminel, jeta e Batmanit bëhet e kotë.

Pa kaluar shumë kohë gjërat eskalojnë dhe Xhokeri kthehet me çdo kriminel të mundshëm nga universe tjera, jo vetëm të Gothamit. E kemi edhe Voldermortin, e Godzillën për shembull. Kjo është një pjesë shtesë komike, e cila e bën filmin goxha interesant.

Zach Galifianakis, Jenny Slate, Conan O’Brien, Eddie Izzard, e gjëra tjerë të njohur për komedinë e tyre janë pjesë e kastit dytësor – kriminelëve kryesisht. Kjo vetëm sa shton bukurinë e filmit me pjesën tjetër të kastit. Është diçka që shkëlqen në të gjitha aspektet. Sidomos për fansat e Batman.

‘The LEGO Batman’ nuk është vetëm për fansat e Batmanit. Është film i përkryer për çdo familje. Nota personale: 5/5

the lego batman, recensime filmash