Filma Recensime Filmash

The Legend of Tarzan (2016) – Recensim

The Legend of Tarzan

Christoph Waltz vërtetë i ka zanat rolet e antagonistëve, mirëpo jo të gjitha nga ato role janë kryevepra. I tillë është roli i tij në filmin ‘The Legend of Tarzan’. Këtu Waltz është një biznesmen kapitalist në kërkim të thesareve në Kongo. Në misionin e tij të parë ai ndalohet nga banorët vendas të cilët i falin jetën dhe i premtojnë thesaret në këmbim të Tarzanit.

John Clayton tani është duke bërë një jetë aristokrate në shtëpinë e prindërve në Angli. Me të është Jane e cila akoma nuk mund të mbetet shtatzënë. Kanë një jetë të lumtur e të hareshme derisa John ftohet për tu kthyer në vendlindje pas një marrëveshje ndërmjet karakterit të Waltz – Leon Rom, dhe partnerit të tij në krim – qeverisë britanike. Pasi bindet të kthehet në udhëtim, Johni i cili portretizohet nga Alexander Skarsgard, me vete do të marr edhe Jane këmbëngulëse për të mos e lënë vet dhe zyrtarin George Washington Williams, një mik i tij.

Skarsgard vjen në portret të Tarzanit tek i cili ndërhyrje ka pasur edhe departamenti i efekteve vizuale duke sjell ekstremitete më gjigante, gjë që shfaqet në plan të parë në detaje qysh në fillim të filmit. aktrimi i Skarsgard, ngjashëm si i Waltz është mesatar. Pak më ndryshe ishte Samuel Jackson në rolin e Washingtonit, duke sjell në jetë në këtë film një karakter më të butë që nuk i shkon me shumicën e karaktereve që ka në portofolin e tij goxha vulgar sa i përket oratorisë. Margot Robbie vjen në rolin e Jane, duke mos devijuar nga trajektorja e cilësisë së aktrimit në këtë film.

Nën trajektoren e filmit gjendet ajo e skenarit, për kah cilësia. Është një tregim i thjeshtë, një mision i thjeshtë që devijon me pjesëza historie nga jeta e Tarzanit, pjesëza këto të dobishme, të mira. Edhe të nevojshme për ndërlidhjen e tregimit që shtjellohet, gjithashtu. Ndërkohë regjia nga David Yates është pak më lart se skenari. Më pëlqen puna e tij dhe manovrimet që bën me përdorimin e efekteve vizuale.

Filmi është i pashëm, ka efekte të bukura dhe fotografi edhe më të bukur. Por, kjo mjafton vetëm për një film mesatar, interesant, jo shumë të gjatë e të kotë. Nota personale: 3/5