Recensime Filmash

La La Land (2016) – Recensim

Për të marrët që ëndërrojnë, për të cilët një pikë çmendurie është madhështi. Për ata është ky udhëtim.

E ngujuar në kolonë trafiku, në motin e pranverës së hershme, në një ditë ku dielli rrëzon në qiellin me pak re, një vajzë nis të këndoj. Pa një, pa dy, të çmendurit i bashkohen në një shfaqje plot hare e lumturi. Kjo shfaqje përplot vallëzim e këngë përfshin çdo ngjyrë të mundshme që reflektojnë ndjenjat e tyre të gëzimit në ndoshta njërin prej ambienteve më të neveritshme në botën moderne.

Në këtë botë moderne, disi nga klasikja e kinematografisë vjen tregimi për një vajzë që dëshiron të bëhet aktore, dhe një pianist xhazi që dashurohet në të. Të dy janë nga të ngujuarit në kolonë, tregimi i të cilëve nis kur përfundon shfaqja e të tjerëve. Është një rrëfim që përmban gjithçka nga ndjenjat e shfaqjes fillestare – vallëzim, këndim, hare, paqe, lumturi, dashuri, dhe ëndërr.

Është një rrëfim i mbushur me ngjyra dhe hije, kontrast që në të dyja anët reflekton dashuri. Detaje të thukëta janë të vendosura në çdo skenë, detaje që përsosen me skenarin fantastik. Skenari që nxjerr më të mirën nga rrëfimi dhe pjesa pa fjalë, arrin të na mbaj të emocionuar fund e krye. Bashkë me skenarin vjen edhe një regji e mrekullueshme duke gërshetuar që të gjitha ngjyrat, tingujt e rrëfimit në çdo pjesë të filmi. Kulmi arrin me tranzicionin nëpër skena e ambiente. Hija, hija…

Aktorë që këndojnë. Këndojnë e vallëzojnë. Këndojnë me një zë të lehtë, të butë, duke lëshuar tinguj të ngjyrosur me lumturi, dashuri, shpresë. Është asisoj këndimi që nuk pasqyron lumturinë, harenë, dashurinë me anë të nivelit të zërit. Është këndim që arrin të lëshoj të gjitha ato ndjenja në një masë tepër normale të zërit, pa buçitur veshët. Këndim që të bën të dashurohesh në tingujt abstrakt që dëgjon.

Të dashurohesh në këndim, ashtu siç dashurohesh në vallëzim, në shikim, në përjetim të këtij filmi. Dashuria nuk përshkruhet me shkronja e fjalë. Zor është të përshkruajmë atë që duam, qoftë njeri, aktor, apo film. Duke adaptuar titullin e këtij filmi, do të thosha që nëse diçka nuk të bën të shqiptosh ‘la la laaaa…’ pa fije marre, atëherë nuk është dashuri. ‘La La Laaaaand’ është ndër filmat që më kanë kënaqur shpirtin.

Që nga ‘Silver Linings Playbook’ nuk më ka ngopur ndonjë film sikur ‘La La Land’. Kam parë shumë filma muzikal, dhe pse është zhanri i preferuar për mua do të duhej ta kisha të vështirë të përzgjedhja më të mirin. Por, ‘La La Land’ është aty në krye, në mesin e më të mirëve. Është diçka e veçantë, në çdo aspekt artistik. Është art në vete. Art i guximshëm. Art i të çmendurve. Nota personale: 5/5