Recensime Filmash

Jackie (2016) – Recensim

Intriguese është historia e Kennedy-ve! E sheh filmin për zonjën e parë të SHBA-ve dhe futesh për të marr informata edhe një herë, në tentim për të kuptuar pse ka ndodhur çfarë ka ndodhur. Pa marr parasysh sa kohë ke shpenzuar me këtë temë, akoma kërkon të gjesh ndonjë detaj që do të hidhte dritë mbi këtë histori plot mister dhe konspiracion. (dhe kështu përfundon duke diskutuar në Maniakë t’Konspiracioneve).

Nëse shohim emrat pas kamerave të cilët kanë realizuar këtë film, shohim se nuk do të duhej të ishte ndonjë kryevepër. Regjisori Pablo Larrain është më shumë i njohur si producent se sa si regjisor i filmave të kinemave, edhe pse ka jo pak bagazh. Ndërkohë skenaristi Noah Oppenheim vjen me tituj tinejxherësh si ‘The Maze Runner’ e ‘Allegiant’. Përkundër kësaj puna pas kamerave nuk është për tu hedhur poshtë, por edhe nuk është ndonjë gjë e veçantë. Kushedi edhe sa të ishte e jashtëzakonshme, përsëri do të mbetej në hije të aktores në rolin kryesor, pasi edhe vet titulli i filmit e tregimi përqendrohen tek karakteri i saj.

Filmi ndjek gruan e John F. Kennedy, Jacqueline Kennedyn, e cila jep një intervistë ekskluzive kohë pas tragjedisë. Derisa ajo vet rrëfen tragjedinë, ne shpihemi nëpër ngjarjen dhe ndodhitë që kanë paraprirë dhe kanë ndjekur tragjedinë në fjalë. Nuk pengohemi vazhdimisht nga narracioni i Jackiet. Vetëm ecim nëpër periudha të ndryshme, disa edhe shumë dytësore pa ndonjë ndikim direkt në rrëfim, por megjithatë me kulturën e nevojshme për këtë rrëfim.

E veçantë tek ky film është aksenti të cilin përdor Natalie Portman. Duket i çuditshëm, por vet karakteri i Jackiet ka qenë diqysh ndryshe nga karakteri i një zonje të parë. Për aftësitë e Natalie Portman nuk kemi çka flasim. Ajo ka dëshmuar veten me dekada në ekranin e madh duke sjell një mori karakteresh të ndryshme, karaktere të cilat ka mishëruar për bukuri. Edhe tek ‘Jackie’ ajo na jep një ndjenjë që jemi duke ndjekur rrëfimin e vet Jackie Kennedy e jo aktrimin e Natalie Portman. Kjo e bën atë një aktore që meriton çdo lëvdatë për punën e saj.

Aktrimi i Natalie Portman sjell ndoshta portretizimin më të përkryer të Jackie Kennedyt në ndonjë adaptim televiziv. Vetëm për këtë arsye mjafton të shihni këtë film. E nëse nisni të hulumtoni më shumë për Kennedyt, mallkimin, dhe konspiracionin për ta, atëherë e dini ku duhet të shkoni. Nota personale: 4/5