Intervista Libra

Intervistë imagjinare me J.K. Rowling

Intervistë imagjinare me J.K. Rowling nga Shkurta Januzi

J.K.Rowling

E para ditë e shtatorit. Qëndrova brenda stacionit hekurudhor King’s Cross në Londër, disa hapa tutje murit që ndante platformat nëntë dhe dhjetë ku qëndronin varur shkronjat “Platforma 9 3/4”. Poshtë saj qëndronte ngulur në mur një gjysmëkarrocë nga ato që përdoren për të bartur valixhet. Dhjetra fëmijë me shalle ngjyrat të cilave i reprezentonin katër shtëpitë e shkollës së magjisë Hogwarts vraponin përreth teksa të tjerët i nxirrnin në fotografi. Edhe unë, ndonëse aspak fëmijë mbaja shallin tim të Grifindorit. Leoni, që më ishte bërë bashkëshoqërues i përhershëm i një shtatorëve në King’s Cross më goditi me bërryl dhe bëri me kokë nga karroca në mur.

– Hajde, do ta bësh foton e përvitshme apo jo?

Unë tunda kokën në shenjë mohimi. C’dobi do kishte? Tashmë kisha shumë nga ato fotografi dhe ato s’më jepnin më kurrëfarë kënaqësie. Dëshira ime nuk ishte më të nxirrja një fotografi aty, por të arrija të depërtoja nëpër atë mur e të dilja në botën e magjisë që J. K. Rowling e kishte krijuar.

– Unë po ik tash. – tha Leoni pas një copë here dhe vari buzët meqë unë s’po bëja zë. Shtrëngoi shallin e tij me vija gjelbërt-gri të shtëpisë së Syltherin dhe iku me vetulla të ngrysura. Vetëm kur u largua duke shtyrë fëmiëjt që i dilnin para unë qesha me zemër. Leoni ishte një Slytherin i vërtetë. Kur ai u zhduk mes njerëzve unë eca disa hapa tutje dhe u ula mbi një stol pritjeje teksa turmat e fëmijëve pak e nga pak u shpërndanë. Një orë, dy, tri… qëndrova e vetme në stacion me sytë e ngulur mbi platformën 9 e 3/4.

Dikur, kur më në fund mu bë mendja top të rregulloja shallin tim kuq-verdhë që më kishte rrëshqitur nga qafa e të ikja që andej, syri më kapi një siluetë që rrinte fshehur anash murit që ndante dy platformat. Ndoshta, në një ditë të zakonshme nuk do të arrija ta kuptoja e kujt qe ajo siluetë që rrinte aty kot, por e zhytur në atë nostalgjinë e një bote që kurrë se kisha përjetuar munda ta kuptoja lehtësisht se dikush që qëndronte aty në këtë kohë nuk qe një person i zakonshëm. Jo i zakonshëm si unë, e as si njeri tjetër mbi tokë. Ia afrova në heshtje dhe e vërejta se nuk kisha gabuar. Ishte Xhoanë Rowling. Duart i kishte futur thellë në xhepat e palltos dhe në kokë mbante një kapelë gri. Flokët e saj të artë i vareshin mbi shpatulla dhe cuditërisht nuk mbante veshur një shall verdhë-kuq si ai i imi ashtu sic do kisha imagjinuar. Ashtu duke e soditur iu afrova aq shumë por ajo sërish nuk më hetoi. Ashtu si unë pakëz më parë, qëndronte krejt e hutuar dhe e shkëputur nga ambienti përreth. Ndoshta edhe ajo dëshirontë që vërtetë të kalonte atë mur dhe të prekte botën e magjisë që kishte lindur nga mendja e saj.

– Sikur të kisha qëndruar këtu në vitin 1991 do të kisha parë një djalë me flokë të zinj të shprishur, me syze e vrragë mbi vetulla dhe një familje flokëkuqësh zhurmaxhinj, ndoshta atëherë edhe unë do ia kisha arritur të bëhesha pjesë e magjisë.

– Oh e dashur…

Xhoanë zgjati duart dhe më kapi nga krahu. Sytë e saj më panë me dashamirësi të pafund. Pastaj së bashku, u ulëm tek stoli ku unë kisha qëndruar pakëz më parë. Kjo ndodhi aq natyrshëm thua se njiheshim ngaherë, e kjo qe në fakt hera e parë që e takoja.

– Nganjëherë ka ditë që kjo është mu ajo që unë dua për veten time. Sikur të kishe një mundësi, një formë cfarëdo qoftë… që ta kaloja këtë mur dhe të futesha brenda asaj bote.

Unë i buzëqesha.

– Por ti nuk ke nevojë. Ajo botë është brenda teje, brenda mendjes sate.

– Nuk mjafton… Kurrë nuk mjafton.

– Por megjithatë është ngushëllim. Nga të gjithë njerëzit në botë je ti e vetmja që e di se c’ngjet me ta tashmë. – thashë duke iu referuar personazheve të serisë së librave Harry Potter me të cilat qeshë rritur e pjekur e me të cilat vazhdoja të frymoja. – Të mjafton ta marrësh një penë dhe të shkruash. Vetëm ti mund ta dish se c’po bën Roni në këto caste për shembull?

– Po luan shah magjistarësh me Fredin e Dytë.

Unë qesha me zë. E paramendova Ronin të mundur nga i nipi dhe Xhorxhin shumë krenar me të birin. Krenar jo pse Fredi luante mirë shah, por pse ai e kishte mundur xhaxhanë e tij me majmunllëqe, me hile dhe Roni dot se kishte kuptuar.

– Më merr malli shumë për ta. – thashë dhe edhe njëherë në jetë e ndjeva se ata kishin qenë jo thjeshtë personazhe të një libri por njerëz të vërtetë, prej mishi e gjaku. Ashtu sikur unë, ashtu sikur Xhoana prej mendjes së të cilës ata kishin lindur.

– E di – tha. – Edhe mua më merr malli.

– Sidomos për të vdekurit. – i thashë duke sjellë ndërmend gjithë personazhet që kishin vdekur në mënyra të dhembshme përgjatë serisë.

– Më vjen shumë keq! – tha dhe nga mënyra sesi e tha e pashë që vërtetë i vinte keq. – Duhej!

Mu duk sikur po kërkonte falje për ankthin që kisha përjetuar teksa lexoja rreshtat kur personazhet vdisnin.

– E di. Nuk pajtohem, por të kuptoj.

– Më së keqi e përjetova vdekjen e Fredit. – tha pa ma vënë veshin dhe vetëm në ato caste e kuptova se dhembja që unë kisha përjetur si lexuese kishte qenë shumfish më e madhe për te si autore. – Dhe ende nuk e kuptoj dot pse?

Flokëkuqët Fredi dhe Xhorxhi kishin qenë binjakë të pandashëm, tërë jetën së bashku duke bërë majmunllëqe, duke shpikur lodra të ndryshme e shakara nga më të rrezikshmet. Kishin braktisur shkollën në vitin e fundit dhe kishin hapur një dyqan marrëzish e shakash që kishte rezultuar shumë i suksesshëm. Pastaj, në betejën e fundit kundër të pamëshirshmit Lordit Voldemort, Fredi qe vrarë. Jo vetëm Xhorxhi, por askush tjetër nuk i kishte paramenduar binjakët të ndarë nga njëri tjetri. As edhe lexuesi më dashakeq.

– Unë e di pse! – thashë dhe menjëherë e pashë pikëpyetjen në sytë e saj. – Po të kishte vdekur edhe Xhorxhi do ishte e dhimbshme por jo kaq. Neve nuk na dhemb vetëm vdekja e Fredit, por edhe jeta e Xhorxhit. Ai është i detyruar të jetojë pa gjysmën e tij, dhe kjo është kaq e papranueshme.

– E vërtetë. Sa herë që mendoj të shkruaj diqka për Xhorxhin dot nuk mund ta paramendoj ndryshe pos me Fredin në mendje. Duke dëshiruar qe Fredi të kishte jetuar, ose të kishte vdekur edhe ai vetë.

Unë psherëtiva dhe psherëtimën e pasuan disa minuta heshtjeje.

– Ku i gjete? Këta njerëz që janë bërë pjesë e pandashme e kaq shumë njerëzve? Ku i gjete?

– Këtu… – tha dhe preku kokën me duar, pastaj preku krahërorin. – …dhe këtu.

Unë nuk munda të mos buzëqeshja edhe njëherë. Kjo mbrëmje qe shëndrruar në mbrëmje buzëqeshjesh plot dhimbje.

– Duhet të jetë ndjenjë e bukur… të kesh lindur dicka të këtillë.

– Duhet të jetë ndjenjë edhe më e bukur të bësh të jetojë dicka e tillë. Ti dhe gjithë ata që keni rënë në dashuri me këta njerëz e bëni të përjetshëm rrëfimin e botës së magjisë së Harri Poterit dhe të tjerëve.

– Do të doja që edhe unë të kisha aftësinë të krijoj magjinë, sikur ti.

Ajo zgjati kokën, pastaj me dorën e majtë tërhoqi nga canta ime e hapur bllokun që kishte rrëshqitur jashtë.

– E dita sapo të pashë. Unë në njëfarë mënyre jam sikur Kapela Zgjedhëse, i njoh karakteristikat e njerëzve pa m’i treguar fare. Edhe ti e ke magjinë përbrenda, magjinë e njejtë që kam unë.

Ajo filloi të shfletonte bllokun tim me shkarravina.

– Unë nuk e kuptoj gjuhën tënde, por nga kjo mund të kuptoj që gjithcka e shkruan me nxitim. Dhe gjërat që shkruhen me nxitin janë më të magjishmet. A e di, unë e kam shkruar pjesën kur Bellatriks vret Siriusin gjersa po ngjisja shkallët për në apartamentin tim?

– Epo kjo nuk ka qenë një pjesë edhe aq e mirë. – thashë dhe të dyja qeshëm njëherazi. I papërmisueshmi, rebeli Sirius, ai që padrejtësisht kishte qëndruar 12 vite në Azkaban burgun më të tmerrshëm që mund të imagjinohet, i fajësuar për vdekjen e mikut të tij më të mirë, ai që quhej tradhëtar nga familja e tij raciste vetëm pse shoqërohej me gjakpërzierit, njeriu që  kishte qenë një nga personazhet e mia të preferuara. Vdekja e tij kishte qenë aq e papranueshme.

– Po fundja, bota e Harry Potter është këtu dhe tash. Shih cdo njeri i ligë, cdo kriminel, cdo keq bërës është një Lord Voldemort spo një pasues i tij. Cdonjëri nga ne që lufton kundër të keqes është një hero, një Harri Poter, një Ron, një Hermionë, një Nevill, një Lunë… Cdo dëshmor që ka vdekur është një Sirius, një Fred, një Dobi… Cdo kafshë është po aq e ndoshta edhe më magjike sesa gjithë ata dragonj e thestralë… Cdo shkollë është sikur shkolla e hogwarts. Shkopinjtë magjikë janë lapsat që mbajmë në duar. – kaq tha dhe u ngrit të ikte. Unë nuk ia arrita dot të lëviz. Ende po mendoja për ato që Xhoanë sapo tha. Pasi bëri ca hapa ajo foli sërish.

– Magjia është kudo, mjafton që ta njohësh.

Buzëqeshja e saj u tret në errësirë. Unë mbajta në duar bllokun tim dhe e pata përshtypjet që ai po shëndriste si një yll në qiell. Ja, kjo ishte magjia ime. Sado e pakuptimtë, e varfër, e marrë, e palogjikshme që qe, ajo ishte magjia ime. E imja, e vetmja që kisha, për herë të parë në jetë po e kuptoja.

Kur u bëra gati të ikja pashë Leonin që vraponte drejt meje. Me siguri ishte shqetësuar që nuk isha kthyer deri në atë kohë. Ja, thashë me vete, ja ku po vie një Snape i përbetuar, dhe unë një Lily e papërmirësueshme.