Seriale

House of Cards 4 – Recensim (me spoilera)

Sezoni i katërt i House of Cards është një rrugëtim i planifikuar me mjeshtri që na kthen mbrapa në çmenduritë e episodeve të para me intriga të stilit tashmë të njohur të Underwoodëve.

Karta e parë që duhet të bije është Dunbar. Por, para saj është ndasia ndërmjet Underwoodëve që duhet të sanohet. Riparimi i kësaj lidhjeje zgjat për pjesën më të madhe të sezonit, dhe megjithatë nuk mund të themi se është një riparim i plotë. Është një riparim sipërfaqësor më shumë se një riparim emocional, i thellë, i njëmendët.

Edhe në këtë sezon shohim Frankun, edhe Claire që marrin masa nga më bizaret për të arritur qëllimet e tyre. Epshi për pushtet, për forcë vazhdon të jetë prezent, dhe shtohet me çdo episod, me çdo pickim të kundërshtarëve vjen një goditje e hekurt e Underwoodëve.

Dhe, gjatë pjesës së dytë të sezonit kemi një çift tjetër që mund ti quajmë si Underwood 2.0, të cilët do të mund të vazhdonin misionin e tyre për sezonet tjera. Zhgënjimi i vetëm i këtij sezoni është që Franku flet shumë më pak me ne, por, në fund…

E tash… SPOILERA…

Më pëlqeu kohështrirja e këtij sezoni. Pjesa e parë nis aty ku ka mbetur – Underwoodët e ndarë. Koha është për pajtimin e tyre në rast se dëshirojnë të vijojnë misionin e tyre. Dhe ashtu siç lëvizin ngjarjet, ashtu lëviz edhe pajtimi i tyre deri në fund të sezonit, hap pas hapi. Për të bërë pajtimin nevojiten sakrifica, e para është nëna e Claire. E portretizuar nga Ellen Burstyn e cila më ka lënë përshtypje në ato pak role që e kam parë (së fundmi Interstellar e Louie, më parë Requiem for a Dream). Ajo sjell një karakter që nuk dallon shumë nga Underwoodët, por megjithatë ka ‘të zezat’ e veta, si pothuajse çdo karakter i gjallë në këtë serial. Kur jemi tek karakteret e reja, nuk besoj se mund të gjej ndonjë zhgënjim tek cilido prej tyre. Joel Kinnaman sjell Will Conway si një pasardhës i Frankut, porse më i zbutur; Neve Campbell përshtatet si asistente me karakteret e Underwoodëve dhe atyre që punon; Colm Feore si gjeneral dhe Cicely Tyson si kongresmene bëjnë atë çfarë presim nga ta. interesante ishte edhe kthimi, qoftë episodik i dy karaktereve që kishte eliminuar Franku sezoneve të kaluara. Më ka pëlqyer sidomos karakteri i Corey Stoll si Peter Russo.

Nëse jemi të sinqertë, sezoni nuk premton shumë në fillim, deri tek vdekja e nënës së Kate. Nga aty, kur vërejmë që mizëria e Underwoodëve është gjallë akoma, si asnjëherë më parë sikur ngrohet situata. Menjëherë pason vdekja e Frankut që dorën në zemër vetëm një pyetje shtonte, çfarë do të ndodh deri të shërohet ai, dhe si do të shërohet. Ky shërim vjen si i përshpejtuar paksa për të vazhduar me luftën kundër republikanëve pas eliminimit të Dunbar.

Ajo çfarë e bën interesante pjesën e dytë është vigjilenca e Catherine Durant e cila luan një lojë të ngjashme kundër Frankut. Kjo lojë përfundon në mënyrë bajagi ‘normale’ për Underwoodët derisa Frank nis dëftimin e tij për mëkatet e bëra. Është një moment tejet ngazëllues, mos të them ndër më të mirët e atij episodi. Bastet që i vë Franku, rrezikimet që i bën janë më të mëdha se në sezonet e kaluara, dhe kjo është e kuptueshme pasi edhe ajo çfarë është në tavolinë është më e vlefshme se sa disa gjëra të sezonit të tretë.

Nuk më ka pëlqyer rikthimi në skenë i Remyt dhe Jackiet. E kuptoj ndërlidhjen e tyre me tregimin, ama megjithatë më duket e panevojshme gjithë ajo hapësirë dhënë atyre që nuk është kushedi sa. Qe Raymond Tusk nuk më pengoi, bile do të doja edhe më shumë nga ai, ngjashëm si President Petrovi. Çfarë do të më mungoj është prezenca e Edward Meechum! Ka qenë sikur rrota e tretë e një biçiklete, dhe me kalimin e kohës ka arritur të zë një vend vital tek fansat e serialit. Së paku tek unë po. Ajo skena kur Frank i vizaton dorën në vend të një pikture në Shtëpinë e Bardhë do të duhej të ishte si shenja e parë se diçka do të ndodhte, ama ec e prite!

Dy pjesët më interesante ishin ajo me Tomin dhe Doug. Më pëlqen që Tomi zgjodhi këtë rrugë dhe tani ofron një pjesë më intriguese të serialit. Ndërkohë me oscilime ekstreme në ndjenja ndaj një karakteri ishte ajo me Michael Kelly, Doug Stamperin. Dyshimet e tij sidomos kur rrezikonte largimin e Sethit dhe Leann nga skena më shkonin nerva. Por, lidhja e tij me gruan e pararendësit të Frankut në transplantim sikur nxjerr një fytyrë tjetër tek Dougi. Gjithashtu kryengritja e Sethit sikur shtyu Dougin kah gjetja e asaj pjese të butë. Por, Doug është Doug. Underwoodët janë Underwood.

Zhgënjim ishte mungesa e komunikimit të Frankut me ne. Por, edhe kjo siç duket ishte një shenjë. Na kishte lënë befasinë për në fund. Tani, me ne do të flet edhe Claire. Mëzi pres të shoh këtë. Por, ec e prite shkurtin tashti! Nota personale: 5/5