Hollywood apo klishe

Hollywoodi, ky emri gjigand që e njohim të gjithë. Piedestali i çdo filmi, ylli i pashuar i çdo artisti, ëndrra madhështore e çdo regjisori, ndoshta edhe ëndrra më prestigjioze i çdo njeriu që pretendon të futet në këtë botë të larmishme emocionesh, në këtë botë ku suksesi dhe fama do të derdhen e do të bëhen një për ta amshuar artistin. Për ta ngritur atë në qiellin e shtatë.

 
E kush mund ta bëjë këtë tjetër, përpos këtij kolosi që nuk i njeh kufijtë e ndaljes, kolos ky, ku derdhen miliona e miliona të ardhura materiale. Një fabrikë e pashtershme dëshirash, ku si shkëmbim kërkon vetëm një gjë, talentin dhe punën e pashtershme.

 
Industria filmike e Hollywoodit është industria më eminente dhe më fitimprurëse e gjithë kinematografisë botërore. Etnogjeneza e saj i kap vitet e hershme. Ia nisë me historinë e filmit, të krijimit të saj ku edhe sot e kësaj dite ka miliona adhurues anembanë globit.
Para vëllezërve ‘Lymier’, babai i Motion Pictures apo të fotografisë në lëvizje ishte Louis Le Prince, ku në vitin 1888 e xhiroi një film të metrazhit të shkurtër deri në 2 sekonda. Me një kamerë prej 12 frema në sekondë. Shfaqja e parë filmike u bë pikërisht nga dy vëllezërit francez, ku në vitin 1895 e shënonin edhe lindjen e një arti të ri për njerëzimin. Ishte shpikje e zbulim gjenial, ku deri në atë kohë as që mund të imagjinohej fare nga mendja e njeriut se si një zbulim epokal i fotografisë, bëri hapin e rradhës deri te zbulimi i lëvizjeve të saj, e që ne sot e quajmë atë ‘film’. Revolucioni audiofonik ishte ai i shpikjes së shiritit ferromagnetik, magnetofonit dhe shpikja e audio stereo që ia dhanë finesat e fundit në përsosmërinë e filmit.
Nuk ishte e lehtë që të arrihej perfeksioni, që ne sot si filmdashës, gëzojmë dhe e shijojmë çdo sekuencë të filmit, ngase u deshën plot 90 vite që kinemaja ta arrinte nivelin e sotëm.

 
Por ku qëndron tani fati i kinematografisë? Çfarë filma po prodhohen sot? Çfarë ndikimi po vazhdon ta ushtrojë Hollywoodi? Mos vallë në këto dekada të fundit bota e filmit po e humbet sensin e vetë si art i vërtetë? Apo çdo rrugë që po lidhet, po na dërgon në një qorrsokak të quajtur komercializëm. Këto janë vetëm disa nga pyejet e shumta, që dita ditës po ia ngacmojnë kërshërinë e çdo kritiku të filmit.

 
Kritikët, pa marrë parasysh rrethanat apo vështirësitë, luajnë rol kyç dhe kanë ndikim të rëndësishëm në atë se si pritet të reagojë audienca, pjesëmarrësit në filma. Sidomos filmat e zhanreve të caktuar. Sipas tyre, filmat e zhanreve horror, aksion dhe komedi nuk e mbajnë epitetin e një filmi të suksesshëm, e ndonjëherë nuk janë edhe pjesë e agjendës së tyre. Ata fokusohen më shumë në subjektin dhe tematikën se çka shpalos filmi në fjalë, regjinë e saj, vlerësimin e punës së skenaristit, producentit, e në raste të shumta nuk është për çudi kur një film i tillë përfundon me një çmim Golden Globe apo edhe Oscar.

 
E ku qëndron tani magjia e gjithë këtij misteri?
Mund të themi se vitet e 90’ dhe 2000’ i kanë kapur majat e suksesit në botën e filmit. Veçanërisht vitet 90’ ku teknologjia e sofistikuar ishte ende në zhvillim e sipër, e nuk shijohej ende qërshia mbi tortë. Por me një bindje të plotë mund të themi se euforia e filmit që ekzistonte para disa dekadave nuk është e njëjtë me atë të viteve të fundit, ngase kanë ndodhur ndryshime rrënjësore.

 
Shembull konkret mund t’i marrim filmat e shumtë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në memoriet e miliona njerëzve, e që kanë mbetur përgjithmonë në magazinën e kujtesës afatgjate. Filmat që kanë fituar shumë çmime prestigjioze dhe janë pritur mjaft mirë nga masa.

Filmi i Steven Spielberg ‘The Schindler’s List’ (1993, fitues i 7 çmimeve oskar), triologjia ‘Lord Of The Rings’ (plot 11 çmime oskar), ‘Titanic’-u i famshëm i James Cameron po ashtu 11 çmime, ‘Dances With Volves’, ‘The Godfather’, ‘The Shawshank Redemption’ e shumë filma të tjerë që kanë prekur zemrat dhe mendjet e shumë njerëzve anembanë botës, qoftë edhe atyre që nuk kishin njohuri dhe lidhje në artin e filmit.

 

Ndoshta involvimi i furrishëm dhe influence e 3D teknologjisë, ia ka humbur magjinë dhe konceptin domethënës që përçon filmi tek njerëzit. Ndoshta ndikimi i tepërt i teknologjisë e ka komercializuar botën e kinematografisë, apo edhe e ka bërë më të pëlqyeshme, më kreative dhe më tërheqëse për audiencën. Ndoshta çdo film tani e merr kthesën e asaj që gjithë e njohim: ‘thjesht biznes’. Ka shumë pyetje, paqartësi, turbulencë e kërshëri që presin përgjigje kreative.

 
Mirëpo diçka është e sigurtë, filmi është art i bukur. Ta dashurojmë artin, ta dashurojmë filmin, e mbi të gjitha ti dashurojmë njerëzit sepse janë të vetmit gjëra që do e shtyejnë përpara botën dhe racën njerëzore.

 

_____________

Florim Hashani

You might also like