Filma Recensime Filmash

Hell or High Water (2016) – Recensim

hell or high water

Jeff Bridges së fundmi i ka pasur nja dy rrugëtime magjepsëse, udhëtime të cilat kanë impresionuar Akademinë. Njëri i ka sjell Oskarin e shumëpritur, tjetri vetëm një nominim shtesë. Një të tillë mund ta pret edhe janarin e ardhshëm.

Për dallim nga dy udhëtimet e kaluara, tani karakteri i Jeff Bridges është në një rol më dytësor. Një rol që mbërthehet me zell nga Bridges. Kësaj radhe, ai duket shumë më i rehatshëm në sjelljen në jetë të këtij karakteri. Ai është një renxher i cili është në ndjekje të një dyshe hajdutësh të cilët kanë vjedhur degët e një banke huadhënëse në Teksas. Vëllezërit janë Tobby dhe Tanner të cilët kanë një mision hakmarrjeje personale ndaj kësaj banke, detajet e të cilit i mësoni me kalimin e kohës në film. Pra, është një lojë e maces dhe miut. Një lojë në të cilën dalëngadalë do të futeni në detaje të dy anëve të tregimit. Është një lojë e mbushur me pamje të mahnitshme të kapura nga regjisori David Mackenzie.

Megjithatë, meritat për këtë parajsë fotografie do të duhej ti atribuoheshin edhe Giles Nuttgens, i cili përkundër një përvoje fillestare ofron njërën nga fotografitë më sy-ushqyese në kinematografinë e këtij viti. Shtjellimi i tregimit është goxha pragmatik, ndoshta edhe arsyeja kryesore pse i jep hijeshi shtesë këtij filmi, tani në substancë.

Parakalimet e kohëpaskohshme të karaktereve dytësore, shumica e të cilave prekin të dy trajektoret – të renxherëve dhe të hajdutëve; janë një shpërqendrim goxha pozitiv. Ka aktorë më pak të njohur në këto role, por të cilat përputhen për merak me rrethanat në të cilat zhvillohet ngjarja, sidomos në aksent.

Ben Foster dhe Chris Pine tregojnë një anë më të ngritur të aktrimit të tyre. Janë role që kërkojnë më shumë përkushtim, maturi, se sa shumica e roleve që kanë pasur deri më tani. Asnjëri nuk dëshpërojnë. Arrijnë të shpërfaqin talentin e tyre duke u dhënë jetë këtyre karaktereve sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme nga njëri tjetri.

Është një film që sjell fotografi që do të kënaqin qejfet e çdo nostalgjiku të klasikëve uestern. Bashkë me të, vijnë edhe aktrimi i zellshëm i Jeff Bridges në njërën anë, dhe harmonia e bukur skenike nga Foster dhe Pine, që i jep nuancat e nevojshme tregimit bukur të ndërtuar. Nota personale: 5/5