Harry Potter jo vetëm për fëmijë

Harry-Potter-Horcrux-Books-1-02112016

Shkruan Drenushë Morina

Librat e serisë Harry Potter, nuk janë thjesht libra për fëmijë, madje nuk janë vetëm libra, por më shumë se aq… Ata na ofrojnë një botë kaq të veçantë, sa vetëm mendja e J.K. Rowling mund ta krijojë.

Një mendje gjeni, që na fut në një botë ku nuk flitet vetëm për magjinë, por edhe miqësinë, dashurinë, sakrificën, luftën e së mirës kundër së keqes, mbi të gjitha.

Habitem që nëpër biblioteka i kam hasur këto libra vetëm në sektorin për fëmijë… sepse janë libra për të gjithë, nuk ka rëndësi mosha. Këta libra kanë një lloj magjie në vete që të tërheqin brenda vetes qysh në faqet e para, dhe pastaj është e vështirë të shkëputesh prej tyre, sepse bëhesh pjesë e tyre, qysh në momentin që kalon përmes platformës 9 3/4. Një kolege më pyeti se si kam pritur deri në moshën 18 vjeçare për t’i lexuar, dhe sinqerisht, nuk e di dhe më vjen keq për këtë, por jam e lumtur që tashmë i lexova. Kurrë nuk është vonë për t’iu bashkuar Hogwarts-it. Unë do të isha e lumtur edhe po të mos i lexoja, vetëm se pa leximin e këtyre librave, jeta ime do të ishte më e mangët, për këtë jam e sigurt.

Dhe, nëse më pyesni se a do i lexoj përsëri; po, do i lexoj. Gjithmonë!

You might also like