Recensime Filmash

Hail, Ceasar (2016) – Recensim

hail caesar

Për komunizmin dhe tentimin e ndikimit të kësaj fryme në Hollywood së fundmi kemi pasur filmin ‘Trumbo’ me Bryan Cranston. Derisa ky tregim ishte i bazuar në ngjarje të vërtetë, Coenët sjellin një botë të asaj periudhe, porse të trilluar.

Eddie Mannix është një fiksues i prapaskenave të botës kinematografike. Nuk është as producent, as regjisor, as ndriçues, as aktor, as statik, asgjë. Emri i tij nuk figuron askund, pos në derën e tij. E aty trokasin kokat kryesore në kinematografinë e viteve 1950ta. Mannix është ai që duhet të mbledh klerikët për të diskutuar nëse një skenë në film është ofenduese për fe, duhet të ju jap informata ‘të brendshme’ gazetarëve, duhet të ‘ngre’ veshët atyre që s’binden. Pra, është dikush që bën gjithçka që nevojitet për tu bërë në hije dhe që në dritë do të ishte joligjore.

Mannix portretizohet nga Josh Brolin. George Clooney është një aktor që luan perandor romak. Pasi helmohet në skenë, ai vidhet nga ‘komunistët’ të cilët e dërgojnë në mbledhjet e tyre për të promovuar programin që i lë goxha përshtypje, Baird Whitlockut, karakter të cilin e aktron Clooney.

Laurence Laurentz është regjisor që duhet të përshtat në skenë romantike një aktor kauboji. Ai portretizohet nga Ralph Fiennes. Scarlett Johansson, Tilda Swinton, Channing Tatum, Jonah Hill, Frances McDormand, e Aiden Ehrenreich vijnë në rolet tjera të palidhura ndërmjet vete, sa me karakterin e Brolin.

Coenët sjellin një film tipik, por nën-mesatare të cilësisë së tyre. Është i bukur, ka ngjyra të mira, batutat të kohëpaskohshme, dhe vërehet dora e tyre. Por, nuk ka gjë të veçantë, nëse kërkoni diçka të tillë. Ama nuk është zhgënjim. Nota personale: 3/5