Recensime Filmash

Hacksaw Ridge (2016) – Recensim

Pa marr parasysh se çfarë bën në ‘kohë të lirë,’ Mel Gibson akoma ka aftësi të shkëlqyeshme të një filmbërësi. Këtë e dëshmon tek ‘Hacksaw Ridge’ ku sjell tregimin më të veçantë për luftën që do të mund ta keni parë ndonjëherë. Nejse, mos ta ekzagjeroj, mirëpo nuk besoj që keni parë ndonjëherë një luftëtar i cili shkon në fron të luftës pa asnjë armë të vetme! I tillë kishte qenë Desmond Doss. Ky është tregimi i tij (jo i Arli$$).

Lufta është gjë e keqe. Edhe ne e dimë këtë boll mirë. Lë pasoja, në çfarëdo pozite të jesh, megjithatë do të kesh pasoja. Të tilla kishte edhe prindi i Desmondit dhe vëllait të tij, një karakter i jetësuar nga Hugo Weaving. Një baba konservativ, amerikan, i vështirë në fëmijët e tij, fëmijë të cilët i nxiste të luftonin njëri-tjetrin ashtu që të bëheshin të fortë për jetën jo të butë që do ti priste. Gjatë një rrahje të tillë, Desmond godet rëndë të vëllain i cili mbetet pa ndjenja. I hutuar, ai lexon njërën ndër thëniet e veçanta të Biblës dhe thellë në vete betohet të mos sulmoj askënd. Dhe kjo do ti kushtoj.

I dashuruar në karakterin e Teressa Palmer, si dhe i inspiruar në të, ai vendos të niset në luftë si infermier. Aty del në kundërshtim me të gjithë për shkak të besimit të tij për të mos kapur armë me dorë. Sfida të brendshme, e pastaj sfida të jashtme e ndjekin, por zor është të rrënosh besimin e një njeriu. Dhe nëse Desmond ka diçka të palëkundur atëherë është besimi i tij.

Andrew Garfield sjell një karakter jo lehtë për tu portretizuar. Kur hedhim një shikim mbrapa, shohim se tek ‘Hacksaw Ridge’ ai piqet profesionalisht. Kalon në një nivel më të lartë, më serioz në kinematografi. Dhe nuk mbetet pa shkëlqyer as këtej. Derisa tregimi i Desmondit është një luftë e tija kundër të gjithëve, këta të tjerët ndihmojnë në zhvillimin e karakterit të tij, dhe rrjedhimisht edhe vet filmit.

Vince Vaughn, në një rol të pazakontë për të, dhe Sam Worthington vijnë në pjesën e ushtrisë. Si karaktere kryesore në këtë repart, dhe antagonistët kryesor të tregimit të dy bëjnë një punë të shkëlqyeshme, por gjithçka mbetet në hije të aktrimit të Andrew Garfield.

Mel Gibson bashkë me Robert Schenkkan bëjnë një punë të shkëlqyeshme pas kamerave. Është diçka që kap fronin e luftës nga sytë e një luftëtari që është i armatosur po aq sa ne si shikues. Lufta, kurrë nuk ka qenë më reale se sa këtu për ne. Dhe qetësia që vjen në disa momente, na thith brenda në tregim duke na lidhur me karakterin e Desmondit edhe më shumë.

Është film i realizuar në mënyrë madhështore. Nota personale: 5/5