Seriale

The Great Indoors – Sezoni 1

Për Joel McHale akoma mbetet ‘Community’ vepra e tij më e suksesshme në karrierë. Seria e parë e tij pas ‘Community’, ‘The Great Indoors’ zgjati vetëm një sezon. Për mua, më gjatë se që e prisja.

Skenari ka qenë i tmerrshëm. Tema ka ndikuar ndoshta pak, megjithatë panevojshëm e kanë shtyrë përtej kufijve kundërthënien ndërmjet dy gjeneratave. Kështu, Joel McHale luan karakterin e Xhek, një aventurist, një Bear Grylls, i cili shëtit botën për të sjell më të egrën në revistën ‘The Great Outdoors’. Tashti që teknologjia po vret mediat klasike, revista është kthyer në media online. Për këtë, shefi i Xhek, Rolland i jetësuar nga karizmatiku Stephen Fry, ka angazhuar një ekip të gjeneratës së mileniumit – Kllark, Ema, dhe Mejson. Ky i fundit është homoseksual, Ema është vajzë tipike ‘moderne’, Kllark është i dashuruar marrëzisht në Emën dhe fansi më i madh i Xhekut.

Kemi një luftë gjeneratash ku Xhekut i duket gjithçka e pazakontë që nga orientimi i Mejsonit, deri tek strategjia e mediave sociale e aplikuar nga kjo treshe. Për më tepër, Xheku ka pasur një natë me Bruk, të bijën e pronarit, e cila është e fejuar me një djalë të padurueshëm jo vetëm për Xhekun.

Shpeshherë pata vendosur ta lija këtë seri. Por, njëzet minuta në javë nuk janë aq përkushtim i madh. Ia ka vlejtur së paku për urrejtjen e Xhekut ndaj teknologjisë. Si dhe për Stephen Fry. Treshja më ka shkuar nerva për pjesën më të madhe të serisë, megjithatë dikur kam arritur të ndjehem më ngrohtë ndaj tyre. Sidoqoftë, diferenca ka qenë e tepruar, e panevojshme.

Fansat e ‘Community’, më saktë ata të Joel McHale do të mund ta shihnin. Edhe atë vetëm për McHale, sepse skenari është i tmerrshëm. Mike Gibbons edhe ashtu nuk ka krijuar diçka të veçantë deri tani. Nota personale: 2/5