Recensime Filmash

The Gold Rush (1925) – Recensim

Nëse keni jetuar në Kosovë, është e pamundur mos të keni nuhatur kurrë aromën e qiririt kur fiket. Është po aq e kënaqshme sa ajo e karburanteve. Njëkohësisht e dëmshme, ndoshta! Por, a keni provuar të hani qiri? E dini shijen që ka?

Karakteri i Charlie Chaplinit detyrohet të hajë qiriun, e pastaj të gatuaj edhe këpucën për bashkëbanorin e tij, vetëm e vetëm që të mos bëhet vet ushqim për të. Këtu dhe probleme tjera u shfaqen kërkuesve të arit, derisa provojnë të rezistojnë kushteve atmosferike bizare.

Pse ari ka vlerë kaq të madhe? Pse 117 elementet tjera në tabelën periodike refuzohen si matës të pasurisë? Shumica janë gaze, shumica helmuese, disa të zorshme për tu ndarë, disa të pavlefshme. Nga nja tetë elemente që quhen si metale fisnike, ari dhe argjendi janë të vetmet që kanë rëndësi. Janë të zorshme për tu gjetur, janë të lehta e jo helmuese për tu pasur afër.

Mjaft me kimi…

Njëri prej filmave më të mirë të Charlie Chaplin ka të bëj me ekspeditat e shumta në Kanadanë veri-perëndimore në fundin e shekullit XIX. Të gjithë vraponin pas arit në zonat gati polare, dhe karakteri i Charlie Chaplin ishte njëri nga ta. Rrugës drejt pasurisë ai takon Xhimin e Madh dhe Larsenin e Zi. Të tre strehohen në një kasolle ku pos të ftohtit përballen edhe me vështirësi tjera. Dhe kur kushtet e mbijetesës keqësohen, nisin luftërat. Që të dyja vijnë të mbushura me ngjarje komike që e bëjnë këtë film njërin nga filmat më të mirë të Charlie Chaplin.

Aktrimi i tij është fenomenal, si gjithnjë. Por, këtu shkëlqen edhe regjia e cila ngjarjet në kasolle i kap nga e njëjta anë duke bërë një prerje simetrike të kasolles. Sigurisht që ka lëvizje të kamerës e edhe ngjarja nuk zhvillohet veç në kasollen në fjalë. Ka dalje nga hapësirat e mbyllura, të cilat sjellin skena tjera tepër komike duke nisur nga pastrimi i borës si punë për karakterin e Chaplin. Ai dashurohet në një valltare, e cila megjithatë e ka syrin më lartë diku. Punët me Larsenin e Xhimin jo gjithnjë shkojnë mirë. Pra ka shumë luhatje të cilat vetëm sa e përsosin këtë film.

Filmi ka disa versione. Është një me narracion i cili nuk është më i mirë se ai me ato kartat informuese ndërmjet skenave. Cilindo version që e shihni, do të shihni njërën nga kryeveprat e kinematografisë. Nota personale: 5/5