Recensime Filmash

The Girl on the Train (2016) – Recensim

Jo krejt librat e mirë përkthehen në mënyrë të përkryer në filma. Ky është njëri nga ta, dhe atë supozoj që është i mirë pasi disa njerëz që kanë lexuar dhe e kanë lavdëruar këtë libër, gëzojnë një respekt tek unë. Një përkthim i këtillë në film duhet të jetë edhe ky.

Vajza në tren është një grua e divorcuar e cila çdo ditë merr trenin për të kaluar kah ish-shtëpia e saj. Ajo është e ndarë nga burri i cili është i martuar tani, dhe ka një foshnje me gruan tjetër. E Rejqëll – vajza në tren, përfshihet në rastin kur dadoja e ish-burrit dhe gruas së tij zhduket, si e dyshuara kryesore ndoshta. Deri tek kjo pikë, gjërat paksa shkojnë jo të qarta ndoshta për dikë, pasi në zë narracioni Rejqëll sjell biografinë e Meganit dhe Anës. E para dadoja, e dyta pasardhësja e saj në rolin e bashkëshortes së Tomit. Ka edhe karaktere tjera të përfshira në film, karaktere të cilat vijnë në jetë nga emra goxha të njohur për ata që shohin filma e seriale.

Pra, filmi është i bazuar në veprën me të njëjtin emër të Paula Hawkins. Për film është adaptuar në skenarin e Erin Cressida Wilson e cila së fundmi ka qenë pjesë e skenaristëve tek filmi ‘Men, Women & Children.’ Skenari mbetet në të njëjtin nivel me këtë film, prandaj nuk është asgjë i veçantë. E ceka, koklavitet së tepërmi dhe të humb ndoshta kënaqësinë e përcjelljes së filmit duke mbetur ndoshta veç kurioziteti për të mësuar se si përfundojnë gjërat.

Regjia vjen nga Tate Taylor i cili njëjtë sikur skenari mbetet në nivelin ‘mirë’. Puna e tij më shumë ngjan me ‘Get on Up’ se sa me ‘The Help’. Ashiqare ky i dyti është film më mirë i realizuar.

Aktrimi është i mirë, gjithashtu. Emily Blunt vjen në rolin kryesor, atë të Rejqëll. Bën punë të mirë, por jo ndër paraqitjet e saja më të mira. Haley Bennett e mbaj në mend që nga ‘Music&Lyrics,’ dhe nëse hedh një trajektore ndërmjet këtyre dy filmave, duhet të pranoj që është zhvilluar goxha, si aktore! Rebecca Ferguson që vjen në rolin e Anës, Haley është Megan, mbetet pak në prapavijë të ngjarjes, por kryen punën e saj me sukses. Ngjashëm si Justin Theroux i cili është alfa-mashkulli në këtë film.

Lisa Kudrow, Laura Prepon, Allison Janney, Edgar Ramirez, e Luke Evans janë emra që patjetër i keni hasur deri tani – dy të parat tek ‘Friends’ e ‘That ‘70s Show’. Ngjashëm si kasti primar, edhe këta kryejnë punën me zell. Por, nuk ndihmojnë që filmi të jetë diçka ‘i veçantë.’

Ndoshta disa libra duhet të mbesin libra. Ndoshta ‘The Girl on the Train’ ka mundur të jetë film më i mirë. Nota personale: 2/5