Game of Thrones – Sezoni 5 Recensim (me spoilera)

Kah me ja nis?! Në King’s Landing…

Kthimi i kushëririt si pjesë e grupit religjioz të ‘shtizave’ nuk ka premtuar të ketë aq shumë ndikim në ngjarje sa ndodhi të kishte. Kush ka mundur ta përfytyroj Cersein në atë mënyrë të poshtëruar. Nejse, informata të para ishin shfaqur pas refuzimit të kishës për incizimin e skenave nude. Megjithatë rënia e saj, ishte sa e papritur, aq edhe e pabesueshme, aq më pak nga ‘shtizat’ që vet i ndihmojnë në rrëzimin e Margaery. Rënia e Lannisterëve në këtë mënyrë është për habi, por, edhe e pabesueshme për të mbetur kaq poshtë. Mëzi pres të shoh se çfarë do të jetë fati i tyre në sezonin e radhës tani që janë të prishur me pothuajse të gjithë. Skenat e ecjes së Cerseit, gjykimet e Margaery, marrja nën sundim dhe kapja e ‘mëkatarëve’ nga ana e ‘shtizave’ mbesin disa nga skenat më të mira në King’s Landing që këtë sezon ka qenë më i qetë me ngjarje.

Viktima e radhës e Lannisterëve vjen nga Dorne. Me shumë skena eksterieri të pashme, dhe disa aksione ndërmjet Jaime Lannister e Bronn me të bijat e Oberynit, na lënë mbresa të këndshme. Nuk ka shumë hapësirë në këtë sezon, por mjafton për të zhvilluar ngjarjen duke na shfaqur një dinakëri alla-Cersei nga Ellaria Sand.

Nuk di për çfarë arsye, por ka diçka që më pëlqen në Braavos. Ndoshta errësira dhe misteri i këtij vendi të Burrave të Pafytyrë e bëjnë këtë ngazëllimin shtesë, ndoshta historia e Aryas dhe britmat e saj ‘mbushje, cigare’. Edhe pse hapësira këtë sezon ka qenë më e kufizuar, ngjarja ka mbetur në një pikë interesante pa ditur të ardhmen e Aryas.

Sikur Arya, me të ardhme të pasigurt mbetet edhe Sansa. A mund ti ketë shpëtuar ndonjë korb, apo çka, sepse nga ajo largësi të kërcesh e të shpëtosh duket e pamundur, sidomos kur e dimi të gjithë fatin e Sansës. Joffrey e pastaj Ramsay. Kë e urreni më shumë tashti nga këta dy? Melissandren? Dy sezonet e fundit Ramsay është shfaqur si krye-horri i ‘GoT’ duke lënë Joffrey në hije dhe kujtime që tashmë i janë afruar pjesës së karaktereve pozitive. George përgatit funde interesante për këta zullumqarët, për atë edhe pres diçka speciale për Ramsay.

Stannisi ishte ai karakter që të dhimbset, por edhe e urren, por ama përsëri të dhimbset, pastaj mendon mos po mbijeton disi, dhe pastaj vjen Brienne. Ishte hera e dytë që GoT prek kufijtë e normales, por kë po gënjejmë, çka është normale në Game of Thrones?! Aksioni i tij në Veri, aty ku u bën të gjitha gjërat e mira, më të mirat, të mrekullueshmet këtë sezon, ishte pjesë e kësaj liste. Por, Wildlings, lufta e tyre me Rojet e Murit, episodi i parafundit, nuk do koment. Këto e bëjnë ‘Game of Thrones’ çfarë është – diçka që nuk është parë kurrë më parë, diçka që moti kohë ka thyer limitet e televizionit. Edhe kjo është normale në bazë të sloganit që kishte pasur HBO në dekadën e kaluar – nuk është televizion, është HBO.

Por, mos të harrojmë edhe Khaleesin. Kush është i lumtur për rikthimin e dragonjve? Të gjithë. Dhe atë çfarë rikthimi triumfal. Phaaa… Që nga ‘dragarys’, nuk i kam parë dragonjtë kaq me qejf. Por, duke ditur të bëmat e George, dhe duke mos lexuar librat (për shkak të befasive të papritura, por të këndshme që kanë sjell këto sezone) disa herë Khaleesi ka shpëtuar nëpër vrimë të gjilpërës këtë sezon. Dhe është treguar si mbretëreshë e denjë për fron. Ardhja e Tyrionit dhe ‘buqes’ (Varys) në Mereen ishte qershi mbi tortë, e edhe udhëtimi i Tyrionit nuk ishte i mërzitshëm. Tashti, me Dothrakin të kthyer, ndoshta do të kemi një armatë dyfish më të madhe të Khaleesit dhe një shthurje të ‘bijve të Harpit’. Ndoshta ajo skena e fundit me Khaleesin ishte shenja kryesore për atë se kujt do ti takoj fronin. Kush ka ushtri të ndal Khaleesin me Dothrakin dhe Unsullied?!

Dhe Jon Snow, apo xhon dëbora siç e përkthejnë televizionet tona. Njerëz, ai është i vdekur! Nuk kthehet më. Kaput! Nejse, ndoshta mund të kthehet sikur korb, apo është një mënyrë tjetër që lexuesit e librave e dinë.

Si ky paragraf ka kaluar vera e gati të gjithëve. Nuk mund të pranojnë vdekjen e tij, por edhe nuk mund të shohin ringjalljen e tij. Është mesele sikur ‘kush ka ardhur e para, veza a pula’! Nuk e kam ndërmend të ndalem më këtu. Ama, e kemi pasardhësin e Ramsay – ‘kill the boy, Jon Snow’!

Më duket që kam përmendur të gjitha ngjarjet kryesore. Ndoshta pak më shumë për ‘Rojet e Murit’ Samin, Maester Aemonin, ama çka të flasim për ta. përzgjedhja e Jonit si lider, shumica e vendimeve të tij, udhëtimet për tej murit, beteja me ‘egërsirat’ (edhe unë si televizionet tona po përkthej qysh po m’doket ma interesant) kanë qenë skena të shkëlqyeshme nga veriu.

David Benioff dhe D.B. Weiss kanë bërë punë të shkëlqyeshme përgjatë këtyre pesë sezoneve. Kanë jetësuar një univers të mahnitshëm. Tani që tejkalojnë librat, pres që ngjarja të marr kahje të ndryshme. Do të ishte strategji e mençur komerciale sikur ngjarje të mos ishte e njëjtë. Të kishte ndryshime, qofshin edhe minimale.

Pa marrë parasysh se si e çfarë vendosin pres një sezon edhe më të mirë se ky. Nota personale: 5/5

You might also like