Seriale

Game of Thrones 4×07 – Recensim

vlcsnap-2014-05-25-21h39m16s212

Seriozisht, sa duhet të urresh vëllain për të angazhuar një ‘kampion’ të tillë në një luftë kundër xhuxhit. Sër Gregor (me histori në NFL) është një nga viganët më të mëdhenj që kemi parë në këtë serial. Megjithatë duket i çmendur vendimi i Serseit për të angazhuar atë kundër Tirionit. Ose vërtetë mendon që ai është vrasësi i Xhofrit, ose… epo s’ka tjetër alternativë.

E kur jemi të Xhofri, po mërziteni për të? Unë aspak jo. Për djallëzirat e tij tani e kemi Lord Bejlishin – gishtvoglin. Xhofri ndoshta ishte budalla, mendjelehtë, mbret gërnjarë. Bejlish nuk është asnjë nga këto. Duket të jetë shumë herë më i ligë, dinak, mendjemprehtë dhe i çmendur. Për të arritur qëllimet e tija është i gatshëm në gjithçka, edhe në mbytjen e një mbretëreshe.

Hapja e tij ndaj Sansës, e cila megjithatë është vetëm si zëvendësim për atë çfarë siç e pranon edhe ai kishte dashur gjithmonë, dhe hapi tjetër i menjëhershëm në vrasjen e më të afërmes të mbetur gjallë, ishin pika të pabesueshme, por disi dukej se episodi po merrje në drejtim të tillë kah fundi.

E episodi ishte i realizuar për mrekulli. Alik Sakharov që kishte bërë edhe regjinë fantastike të episodit paraprak, përsëri shkëlqeu duke shtrirë temën në mënyrë të përkryer me fundin briliant.

Një pjesë e konsiderueshme u ndërlidh me Arja Starkun, e cila me kalimin e episodeve vetëm se po piqet duke u bërë një vajzë luftëtare, e rritur parakohe që po habit me vendosmërinë dhe guximin e saj. Kishim edhe një person nga historia e saj, dhe ky ishte ndër shenjat e para që Starkët akoma kanë miq, edhe pse në fshehtësi.

Pak pjesë për Kalisin. Edhe ato pjesë sa për të na dhënë një shenjë të vogël për çfarëdo që prite të ndodh në të ardhmen mëtanë detit.

E Tirioni ishte në halle pas refuzimit të Bronit, i cili duket se me këtë episod po largohet nga tregimi. Ishte një pjesë e vogël në fillim që kishte tone të njëjta me fjalimin që bëri në episodin paraprak, dhe një çiltërsi ndaj Xhejmit i cili i rikujtoi që ishte i vetmi mik që i kishte mbetur.

Megjithatë shpëtimi erdhi në fund nga ai që më së paku pritej, ndoshta, por që në fakt ishte e vetmja alternativë e mbetur për të patur Tirionin gjallë në episodet vijuese. Por, në fakt nuk do të dëshiroja të humbnim as Oberin Martellin. Edhe pse i shfaqur vetëm këtë sezon karakteri i tij ka krijuar një joshje nga shikuesit e gjerë. Mua veçanërisht më pëlqeu qëndrimi i tij në gjykimin e episodit 4×06.

Mbetet të shohim se çfarë do të ndodh edhe pse kanë filluar të qarkullojnë lajme se cilët aktorë do të kthehen për sezonin e pestë. Shmangni ato sepse kanë spoilera që do të ju prishin edhe këto tri episodet e fundit, ngjashëm siç mi kanë prishur mua, deri në një masë.