Galavant, Empire, Agent Carter – Pilot Review

Mes-sezona siç e quajnë, apo ‘sezoni pranveror’ siç preferoj ta quaj, sjell seriale të reja në televizionet amerikane. E konsideroj detyrë për të shikuar së paku episodet fillestare të këtyre serialeve dhe pastaj për të vendosur personalisht, dhe ndihmuar të tjerët të vendosin nëse ia vlen të vazhdohet me këto seriale. Kësaj radhe janë tri serialet e para që kanë nisur të shfaqen në javën e parë të janarit.

Galavant

Personalisht më pëlqeu, më bëri të qesh. Bëhet fjalë për një tregim mesjetar, me një hero të llojit të Robin Hood, një tregim që vjen si muzikal me skena komike që në tërësi ironizojnë ato të zakonshmet që ndodhin në serialet tjera. Tek ‘Galavant’ nusja e mbretit nuk heq dorë nga martesa për të dashurin e saj pasi preferon pasurinë para dashurisë, derisa finalja e turneut të kalorësve është dueli më i kot i turneut (diçka si Euro 2004).

Sezoni i parë do të ketë 8 episode, me nga dy sosh të shfaqura çdo të diel (e hënë për neve). Nuk dëshiron një përkushtim të madh, kështu që do ta shikoj ‘Galavant’-in.

Agent Carter

Ky sezon i ‘Agents of SHIELD’ më është mërzitur. Prisja më shumë freski nga Agent Carter, por nuk e gjeta. Nuk është faji tek seriali, është faji tek unë që shikoj shumë seriale të tilla me superheronj, Arrow, The Flash, dhe filmat e shumtë. Është një dramë periodike e përqendruar më shumë rreth Captain America, dhe babait të Tony Stark – Iron Man. Shifrat e shikueshmërisë kanë qenë solide për debutim, por si zakonisht do të bien. Nuk besoj që do të ketë sezon të dytë.

Do të shikoj edhe Agent Carter pasi vetëm vjen si zëvendësim për Agents of SHIELD derisa janë në pushim. Por, nëse më ikën ndonjë episod, s’do të mërzitesha.

Empire

Taraji P. Henson rikthehet në ekran pas largimit nga Person of Interest. Dhe këtu ka një rol krejt më ndryshe, më të fuqishëm, më dominues, si ish-gruaja dhe partnerja në krim e karakterit kryesor të portretizuar nga Terrence Howard. Papritmas ai vendos të përgatitet për të ardhmen duke sfiduar djemtë e tij të luftojnë, të dëshmojnë se mund të udhëheqin kompaninë e tij diskografike. Shikueshmëria ka qenë tepër e lartë dhe një sezon i plotë është i sigurt, me shumë mundësi edhe më shumë.

Tema duket të jetë ngazëlluese, kasti i aktorëve fenomenal, shfaqet të mërkurave, ku pos tri komedive të ABC-së deri në rikthimin e Arrow kam hapësirë personale. Unë do të kthehem për ta shikuar edhe më tej. Por, ju sugjeroj edhe juve që mos ta leni së paku pilotin pa e parë.

Në përfundim, si zakonisht ju ftoj të shihni së paku nga një episod, dhe të vendosni vet se a ia vlen të ktheheni për më shumë a jo? Varet sa jeni të uritur në fund të këtyre episodeve. Askush më mirë se ju nuk mund të vendos a ia vlen të niset një serial i ri apo jo.

You might also like