Recensime Filmash

Florence Foster Jenkins (2016) – Recensim

Sa e sinqertë është dashuria? Deri në ç’masë do të fshihnit të vërtetë nga njeriu më i dashur i juaji në jetë? A do ta gënjenit për talentin që ekziston vetëm në mendjen e tij/saj? Për St Clair Bayfield përgjigjja në këtë pyetje ka qenë e thjeshtë.

Florence Foster Jenkins ka qenë një trashëgimtare e njohur në fillim-shekullin e XX-të në Nju Jork. E obsesionuar pas artit muzikor ajo ka përkrahur në çdo mënyrë të mundshme zhvillimin e tij. Megjithatë, ka shkuar një hap më tepër kur ka dashur të kontribuoj me këndimin e saj të operës. Me një zë të tmerrshëm, ajo ka ‘argëtuar’ vetëm persona të përzgjedhur – miq të saj dhe ata të cilët nuk kanë dashur ti prishin qejfin, sa për para, sa për dashurinë ndaj saj.

Ky film i Stephen Frears, tashmë me përvojë në portretizimin e grave në moshë si figura kryesore në film – The Queen, Philomena; sjell tregimin e bazuar në ngjarjet e vërteta për Florence Foster Jenkins. Filmi nis në një periudhë të caktuar të jetës së saj, kah fundi ku Florence përgatitet të jap nja dy shfaqje të reja pas një pushimi të gjatë. Për t’ia dal kësaj asaj i duhet të angazhoj një pianist. Atë e gjen në Cosme McMoon, karakter i cili edhe pse në rol kryesor i jep krejt kuptimin filmit nëse përqendrohemi tek zhvillimi i tij gjatë 110 minutave sa zgjat ky film.

Për këtë arsye skenari i Nicholas Martin merr një notë pozitive, jo të përkryer ndoshta, por definitivisht lavdëruese. Filmi kap gjithçka që duhet të kap, ka skena në të cilat nënçmimi i figurës kryesore të filmit ndalon në momentin e duhur, pa dal në teprim. Ngjarja është pasqyruar bukur, derisa aktrimi i Hugh Grant është për çdo lëvdatë.

Padyshim është më mirë se Meryl Streep dhe Simon Helberg. Në fakt Streep do e vendosja edhe pas Helbergut pasi nuk ka asgjë që nuk kemi parë nga ajo. Këtë e them me ton pozitiv pasi të gjithë i njohim aftësitë e saja në aktrim. Këtu më së miri vërehet në keqinterpretimin e këngëve! Howard Wolowitz i Teorisë së Big Bengut shfaq talentin e tij në një rol krejt ndryshe nga i cili e njohim të gjithë. Transformimi i tij gjatë filmit është edhe mëritë e tij, jo vetëm e skenarit. Ndërkohë Hugh Grant sjell një karakter i cili në fillim mund të na duket shumë antipatik. Dhe falë aktrimit të tij të shkëlqyeshëm, ka pak gjasa të krijojmë një qasje të qartë ndaj tij.

Aktrimi, skenari, gjithçka është mirë e ndërtuar këtu. Ngjarja pak mund të na duket e parëndësishme, apo e cekët. Megjithatë nëse e shohim si një prodhim filmik, dhe nga këndvështrimi i pianistit apo edhe St. Clair, mund të nxjerrim ndoshta diçka më tepër. Sidoqoftë, nota personale: 4/5