TV

Fargo – Sezoni 3 (me spoilera)

‘Fargo’ është sikur vera – çdo vit që kalon vetëm sa shkon duke u bërë edhe më e mirë!

Edhe ky sezon, përkundër një rinisjeje, e gjen veten aty në sirtarin më të lartë të ekselencës në krijimtarinë televizive. Duke nisur nga kinematografia magjepsëse që na kap nga momenti i parë, e deri tek pjesët e fundit. Edhe skenari ka qenë i jashtëzakonshëm, ngjashëm si kinematografia. Të dyja kanë vazhduar traditën e dy sezoneve të para, vetëm se duke adaptuar kontrastin më afër të përkryerës së veprës fillestare të Coenëve.

E vetmja gjë që është dashur të shkëlqej ka qenë aktrimi. E aktrimi po që ka shkëlqyer!

Të them të drejtën kam hezituar me idenë që një aktor të luaj dy role. Nuk kam dyshuar në aftësitë e Ewan McGregor, por në vet idenë. Sidoqoftë, Ewan McGregor ka arritur të sjell dy personalitete edhe pse binjake, goxha të ndryshme edhe në pamje, por edhe në karakter. Që të dyja vijnë tejet origjinale dhe duken gati se janë duke u sjell në jetë nga dy aktorë krejt ndryshe.

Aktrimi jo vetëm i Ewan McGregor ka qenë magjepsës. Tek ky sezon i ‘Fargo’ edhe katër së paku tre aktorë tjerë kanë shkëlqyer. Carrie Coon për aftësitë e të cilës jemi njohur edhe tek ‘Leftover’ ka gjallëruar rolin e një policeje e cila përkundër të gjitha peripecive vazhdon të hetoj rastin me intuitën e saj.

Dy karaktere tjera krejt të çmendura kanë ardhur nga Mary Elizabeth Winstead e David Thewlis. Të dy me pak histori, por që të dy me talent fantastik. Edhe karakteret e tyre kanë qenë tejet intriguese, për ç’gjë një konsideratë e madhe duhet tu shkoj edhe skenaristëve. Por, pa një aktrim mahnitës nga këta dy, këto karaktere s’do të mbeteshin gjë pos ide të shkruara në letër.

Mishërimi i aktorëve me karakteret e tyre ka qenë i përkryer. Shto skenarin, regjinë, e mbi të gjitha fotografinë. Kemi një kryevepër që vazhdon traditën e dy sezoneve të para, mos të them sfidon ato. Nota personal: 5/5