Fantastic Beasts and Where to Find Them

Fantastic Beasts and Where to Find Them (2016) – Recensim

Magjia është rikthyer, dhe kush e bën më mirë se JK Rowling. Kreatorja e ëndrrave të neve ‘Potterheads’-ave vazhdon rrëfimin e saj duke sjell një botë për të cilën dimë gati asgjë. E vetmja gjë që dimë është që titulli i këtij filmi është titull libri i përmendur në serinë ‘Harry Potter’. E po aq përmendet nga seria e ‘Harry Potter’ në këtë film, Albus Urtimori. Kaq.

Pra, edhe nëse nuk e keni shikuar Harry Potter, apo lexuar për ta, lirshëm mund të shihni këtë film. E vetmja që ju duhet është të besoni në magji, dhe krejt krijesat fantastike që mund ti shihni në këtë film. E ato janë goxha të shumta, të bukura, dhe të çuditshme. Të gjitha këto zënë vend në një valixhe të vetme.

Kjo valixhe përzihet me valixhen e një jo-magjistari kur Njut Skamander zbret në Nju Jork. Qëllimi i vizitës së magjistarit të njohur anglez është kthimi në vendlindje i disa krijesave magjike, si dhe kapja e tjerave të cilat janë përzier në botën e njerëzve. Prej këtyre të fundit është Kovalski. Ai pahiri ndërron valixhen me Njut, dhe nga këtu niset në një aventurë plot magji.

Aventura has në pengesat e para kur Tina, një ish-aurore ndal Njutin dhe e dërgon tek eprorët e saj, të cilët vetëm se janë duke u përballur me probleme me bisha të magjishme. Problemet, dhe zanafillën e tyre e mësojmë në pjesën e dytë të filmit. E them këtë pasi që fillimi duket sikur filmit i mungon qëllimi, nuk dihet se kah po ecën. Kjo personalisht më ka pëlqyer pasi është një udhëtim pa qëllim, thjeshtë ‘kënaqu me udhëtimin, harro cakun’.

Skenari që është i përgatitur nga vet JK Rowling më ka pëlqyer. Hiç më mbrapa nuk mbetet as regjia me David Yates i cili veç është i njohur me këtë botë të magjishme. E magjia nuk mungon, dhe atë jo vetëm nga bishat fantastike.

Aktrimi ka qenë i shkëlqyeshëm. Nuk mendoj që ka mundur të jetë kastingu më i mirë. Eddie Redmayne është i mrekullueshëm në rolin e një magjistari të çuditshëm i cili më shumë është i lidhur me kafshët se sa me njerëzit. Katherine Waterston vjen në rolin e Tinës, derisa motra e saj Queenie është Alison Sudol. Të dyja janë më pak të njohura se Redmayne, por më pëlqeu si portretizuan karakteret e tyre, sidomos Sudol që sjell Queenin si goxha ëndërrimtare. Colin Farrell është me më së shumti përvojë nga kasti, dhe kjo vërehet në jetësimin e karakterit të tij – një zyrtar i lartë në qeverisjen e magjistarëve. Por, ajo që më ka lënë mbresat më së shumti ka qenë aktrimi i Dan Fogler. Keni mundur ndoshta ta shihni nga komeditë goxha të mira, por pak të njohura ‘Man Up’ dhe së fundmi ‘The Goldbergs’. Ai sjell karakterin e Kovalskit i cili është një njeri i këndshëm jo-magjistar, që të kënaq me ‘panjohuritë’ rreth botës së magjishme përgjatë tërë filmit.

I lumtur që magjia është kthyer në formën e duhur në ekran të madh, si një potterhead mund të them se ‘Fantastic Beasts and Where to Find Them’ na kënaq dhe njëkohësisht na hap një botë krejt të re të magjisë. Nota personale: 5/5

 

You might also like