Recensime Filmash

The Edge of Seventeen (2016) – Recensim

Në mesin e filmave të marsit në KTV mund të shihni edhe ribërjen e True Grit. Aty bashkë me Jeff Bridges keni edhe një fëmijë, Hailee Steinfeld. Që nga ky film për të cilin ishte nominuar për Oskar, e deri tek ‘The Edge of Seventeen’ Hailee Steinfeld është pjekur nga një adoleshente në një aktore që mund të puthitet me karaktere qoftë për këtë film, qoftë për ‘Pitch Perfect’.

Tek ‘The Edge of Seventeen’ ajo vjen me rolin më të mirë të karrierës deri tani duke sjell në jetë një karakter në qoshe të adoleshencës në mënyrën më të përkryer. Si çdo fëmijë jo i vetëm në familje, xhelozia ndaj vëllait është e vërejtur qysh në fillim, derisa pjesë klishe ose më mirë të them e zakonshme është që edhe të bijat lidhen me baballarët, derisa të bijtë me nënat e tyre më shumë. Ngjashëm ndodh edhe në familjen e Nadine, i ati i të cilës nuk është më në botën e saj, në momentet më të vështira në jetë! Indiferente ndaj të ëmës dhe vëllait, ajo shoqërohet me shoqen e ngushtë e cila në një kohë nis të joshet nga i vëllai i Nadine. Dhe kjo rrëzon krejt botën e saj.

Tani është koha për mësuesin qel dhe injorant i cili bëhet shoku i saj në pushimet e drekës. Dialogët ndërmjet këtyre dyve janë pjesa më komike e filmit, i cili nuk është aq i zymtë, ama përfshinë çdo aspekt të kësaj periudhe nga jeta e Nadine. Mësuesi vjen në jetë nga i shkëlqyeshmi Woody Harrelson i cili më kënaq edhe këtu me aktrimin e tij. Harmonia skenike e të dyve, Haileet dhe Woodyt është e mrekullueshme. Por, megjithëse aktrimi i të dyve është në nivel të lartë, as të tjerët nuk mbeten mbrapa.

Karakteret e nënës, vëllait, dhe shoqes më të ngushtë të Nadine, falë një skenari të shkëlqyeshëm nuk pozicionohen në asnjërin grup të protagonistëve – as heronj, as antagonist. Dhe kjo e bën skenarin e shkëlqyeshëm i cili është vetëm i dyti në karrierën e Kelly Fremon Craig. Ajo bën edhe regjinë, në të cilën zeje debuton. E duke pasur këto parasysh, kemi një film për merak të ndërtuar nga pas kamerave, e që nuk mbetet mbrapa në cilësi as para kamerave.

‘The Edge of Seventeen’ mbetet një film i realizuar për merak që sjell një tregim të shkëlqyeshme rritjeje duke mos i ikur realitetit aspak. Nota personale: 5/5