Recensime Filmash

Dracula Untold (2014) – Recensim

Filmat me vampirë janë bërë klishe viteve të fundit. Ndoshta fajin e ka Stephanie Meyer dhe ‘Twilight’. Në fakt ‘Twilight’ nuk janë filma të përgatitur keq, por ju mungon tregimi dhe aktrimi, derisa pjesa teknike nuk është për tu hedhur poshtë. Megjithatë një episod i ‘The Vampire Diaries’ ka më shumë tregim se sa krejt seria e ‘Twilight’.

‘Dracula Untold’ është një tentim për të rikthyer vampirët aty ku e kanë vendin, krijesa të frikshme që sjellin terror dhe aspak romantike. Derisa tek terrori ia dalin deri diku, ndjenjat dhe romanca nuk do të mungojnë. Por, kjo arsyetohet duke pasur parasysh shtjellimin e tregimit në të cilin bazohet filmi.

E filmi bazohet në historinë më të ‘besueshme’ për Drakulan, kontin e Vllahisë i cili për të shpëtuar popullin e vet nga otomanët bën pakt me ‘djallin’. Konti Vllad vjen si udhëheqës i një populli që ka jetuar në paqe viteve të fundit, gjë që tani rrezikohet nga Mehmedi II. Perandori otoman ka vendosur të mbledh përsëri fëmijët rumunë, diçka me të cilën pajtohet edhe Vlladi që del të jetë mik i ngushtë i perandorit, dhe një përjetues i historisë që po persëritet. Premtimi i dhënë gruas së tij, Mirena, për të mbrojtur të birin e tyre e dërgon në ekstreme duke prishur marrëveshjen dhe duke u rikthyer në vampir.

Filmi ndahet në tri pjesë, me pjesën e parë që sjell paqen, të dytën transformimin, dhe pjesa finale që lë hapësirë për filmin vazhdues. Duke pasur parasysh që filmi realizohet nga një regjisor debutues, duhet të pranoj që pjesa teknike është mirë e ndërtuar. Gary Shore arrin mirë të sjell pjesët kryesore të filmit, duke mos e tepruar me kohëzgjatje dhe detaje. Skena e paktit të Vlladit dhe vampirit ngjan pak a shumë në skenën e filmit ‘300’. Por, jo vetëm kjo skenë, ka shumë paralele ndërmjet ‘Dracula Untold’ dhe ‘300’, betejat, paradat e ushtrive, betimet e karaktereve kryesore ndaj bashkëshorteve të tyre, etj. Por, s’do ta vlerësoja si kopje.

Aktorët nuk dëshpërojnë. Luke Evans e Sarah Gadon kanë harmoni të mirë në skenë, e nuk dëshpëron as Dominic Cooper. Edhe rolet dytësore nuk janë për tu nënçmuar.

Një film i mirë, mesatar, nuk dëshpëron. Mund të dëshpëroj fansat e horrorit pasi nuk sjell ndoshta mjaft nga ky zhanër. Për ata që preferojnë dramën me pak horror e fantazi, është produkt i mirë. Nota personale 3/5.

Luan Morina
Kritik filmi