Daddy’s Home (2015) – Recensim

daddy's home

Si një fans i madh i Will Ferrell, për të cilin The Other Guys mbetet një nga realizimet më komike të viteve të fundit, ribashkimin skenik të Ferrell me Wahlberg e kam pritur me shumë qejf. Megjithatë, ai film ka një ofertë të veçantë kënaqësie për mua që sado e pakuptimtë, për dikë edhe e pabazë, të jetë nuk besoj që do të mund të përsëritej edhe me The Other Guys 2 eventual.

Daddy’s Home ka të bëj me Bradin si njerk që dëshiron të fitoj dashurinë e fëmijëve të Dustyt, derisa jeton me ish-gruan e këtij të fundit. Brad vjen nga Will Ferrell dhe është një burrë ‘normal’ që punon në një radio duke bërë një jetë ‘normale’ të zakonshme. Kur arrin të krijoj themelet për krijimin e një lidhje që do të mund të imitonte atë lidhjen prindër-fëmijë, në skenë shfaqet Dusty në rrobat e të cilit është futur Mark Wahlberg. Dusty është një baba shpirt i lirë i cili vozit motoçikletë, vesh xhinse, stërvit, jep dhurata, kënaq fëmijët. Pra, janë dy karaktere krejt të ndryshme që me zor vendosën në të njëjtën kornizë gjatë filmit.

Për bukurinë në harmoninë skenike të Ferrellit dhe Wahlbergut nuk ka nevojë të flasim nëse keni parë The Other Guys. Edhe këtu Ferrell është ai normali, derisa Wahlberg ai i çmenduri. Kjo diferencë përshtatet për merak edhe në këto karaktere që goxha janë të ndryshme nga ato të filmit të kaluar të këtyre dyve. Linda Cardellini është shtesë e mirë në kast dhe arrin të jep atë që kërkohet nga roli i saj. Ndoshta ka mundur të ketë ndonjë zgjedhje më të mirë, por s’ka hapësirë për ankesa. Kryesisht pjesa tjetër e kastit nuk ka ndonjë rol të madh, e dy fëmijët kanë bajagi paraqitje të mirë.

Pas kamerave, Sean Anders është i mësuar me kësisoj komedish që nuk më dëshpërojnë pothuajse kurrë. Bën punë të mirë edhe në skenar ku më befason pak a shumë puna e Brian Burns. Filmi nuk ka hapësirë, humbje kohe. Nuk është i gjatë dhe për ato minuta sa zgjat bën atë që pritet të bëj – jep skena komike mesatare, si me dialogë ashtu edhe me improvizim.

Shoh se do të ketë vazhdim të dytë të cilin do ta shoh. Do të ju sugjeroja ta shohin fansat e Will Ferrell dhe Mark Wahlberg, dhe ata të komedive të thjeshta familjare. Për këta faktorë, për mua ka një vlerë më të madhe, ndoshta edhe pak jo-objektive. Nota personale: 4/5

You might also like