Recensime Filmash

Collateral Beauty (2016) – Recensim

Zoti është lehtësim, shpëtim! Mu ashtu siç ju thonë shumica e predikuesve fetar, të cilitdo religjion. Është rruga më e lehtë për të gjetur përgjigjet në pyetjet më të komplikuara të jetës. Megjithatë dikush zgjedh rrugë alternative, ndikuar nga ngjarje që ndodhin në një moment të veçantë në jetën e tij. Një rrugë të këtillë sjell edhe ky film.

Ngjarje më të rëndë se ajo që i ka ndodhur Hauardit është vështirë të imagjinohet, por gjithçka është relative varësisht me çfarë ngjarje e krahasojmë. Hauardi i cili portretizohet nga Will Smith, ka humbur vajzën në moshë të re, për shkak të një sëmundjeje. E çuditshme është si fëmijët në e pafajshëm, sëmurën e vdesin, apo jo? David Attenborough flet për një lloj krimbi që zhvillohet në syrin e fëmijëve në Afrikë, kur e pyesin për besimin.

Në këtë rast Hauardi nuk kërkon llogari nga Zoti, por nga tri abstrakte – koha, vdekja, dashuria. Ai u shkruan letër të triave duke kërkuar qartësim, shpjegim, e edhe duke i qortuar jo vetëm për vdekjen e të bijës së tij. Përgjigjen e merr kur kolegët e tij nga puna, Uit, Kller, e Sajmon – Edward Norton, Kate Winslet, e Michael Pena, dalin me një ide që do të shpëtonte biznesin e tyre. Ata angazhojnë tre aktorë për të portretizuar këto tri abstrakte të cilat do ti sjellin përgjigjet eventuale Hauardit. Helen Mirren, Keira Knightley, e Jacob Latimore vijnë në këto role, derisa Naomie Harris vjen me një rol bukur të portretizuar më vonë gjatë filmit.

Tashti, është film i qetë, i cili provon të sjell diçka të thellë, të komplikuar, në një mënyrë tejet të thjeshtë. Provon të bëhet filozofik, të trajtoj abstraktet e lartpërmendura, të nxis debatin për to. Për mendimin tim ia del të ju shtyni të mendoni, por jo nëse nuk keni një gatishmëri paraprake për tu futur në tema të tilla.

E sa për përgjigje, as ky e as ndonjë film tjetër nuk mund të ju jep përgjigje në këto abstrakte. Edhe pse e kemi njëfarë përgjigje, gjysmake, të butë, por shumë rehatuese. Pra, mos nisni filmin me një qëllim të tillë, se do të mësoni diçka të veçantë. Thjeshtë kënaquni me filmin dhe shijoni këtë rrugëtim mendjendritur deri në një masë. Përgjigjet i krijoni ju, në mënyra të ndryshme, ashtu siç ju përshtat më së miri. Ndërkohë mos i bezdisni të tjerët me (mos)besimin tuaj. E sa i përket filmit, nota personale: 3/5