Filma Recensime Filmash

Collateral Beauty. Recension

Kur një Nju Jorkez, shef ekzekutiv i marketingut fillon të pësojë vuajtje e tragjedi të ndryshme nga jeta, ai dorëzohet tërësisht e heq dorë nga çdo gjë dhe bie në depresion të plotë. Ndërsa miqtë e tij në mënyrë dëshpëruese mundohen të krijojnë relacion me të, derisa ai kërkon përgjigje nga ‘universi’, duke i shkruar letra, Dashurisë, Kohës dhe Vdekjes. Ai asesi nuk e arrin atë që e kërkonte, derisa letrat apo shënimet e tij i sjellin atij disa fakte të papritura personale, dhe fillon të kuptojë se, pikërisht këto konkludime ia japin kuptimin jetës së tij, dhe se edhe humbjet më të thella ndonjëherë mund të shërohen dhe ta kthejnë përsëri bukurinë dhe madhështinë që e kishte jeta.

‘Collateral Beauty’ apo Bukuri Kolaterale, një dramë nga regjisori David Frankel, me skenar të Allan Loeb dhe trupës së mahnitshme të kolegëve që tituan çmimin oskar për filmin Spotlight, vjen para filmdashësve më 16 Dhjetor në prag të krishtlindjeve. Me emra gjigand që luajnë përkrah Smithit do jenë Kate Winslet (fituese e çmimit të Akademisë), Edward Norton (nominues i Akademisë), Keira Knightley (nominuese e Akademisë), Helen Mirren (fituese e çmimit të Akademisë), Michael Pena si dhe Naomie Harris.

499295-will-smith-keira-knightley-collateral-beauty

Will Smith vjen me një performancë tejet mahnitës, ku e portretizon Howard Inlet, drejtorin ekzekutiv të një kompanie të marketingut, një burrë karizmatik, i pashëm dhe i sukseshëm që bie në depresion dhe fillon ta vë në dyshim çdo pyetje që atij i duket absurde, e më pas orvatet që ta kërkojë rrugën e duhur për të dalur nga humnera. I rrethuar nga miqtë dhe kolegët e tij që gjithnjë mundohen ta ndihmojnë dhe nuk e kuptojnë gjendjen e tij, veçanërisht miku i tij i ngushtë Whit Yardshan (Edward Norton) dhe shoqja Claire Wilson (Kate Winslet).

Gjendja e Howardit përkeqësohet edhe më shumë, kur ai illon të mbajë një terapi psikologjike me grupe njerëzish që supozohet të kenë të njëjtën gjendje emocionale. Whit, i përkushtohet plotësisht mikut të tij duke u munduar ti flasë, ta ngushëllojë por ai nuk është aty. Ai humbet në mendime, humbet në kohë dhe për këtë Whit, bie pre e dyshimeve dhe shqetësimeve serioze. Derisa miqtë e tij orvaten ta kuptojnë botën e turbulltë të tij, arrijnë në një përfundim se letrat që i shkruante Howardi nuk i dedikoheshin njerëzve, por gjërave.

E shumë shpejt, situata do merr kahje plotësisht të kundërt dhe kurioze. Gjërat, që miqtë mendonin se ishin gjëra, rezultoi që të ishin njerëz të ndryshëm, që Howardi i takon në situata dhe gjendje të ndryshme emocionale. Ata ishin njerëzit që ndalëngadalë do ta krijonin triomin, Dashuri-Kohë dhe Vdekje.

Një film i zhanrit dramë, që ndoshta do ju ngërthejë në vete, në magjinë dehëse që i shpalos jeta, me gjithë sfidat që i ka dhe që duhen luftuar nga njeriu, si dashuria, koha dhe vdekja, e që janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme me njëra tjetrën.

Realizuar nga shtëpia filmike New Line Cinema me distributor të Warner Bros Pictures, gjirimet e filmit kanë filluar më 22 shkurt të vitit 2016 dhe janë përmbledhur kryesisht në lokacionet e New York-ut dhe të Manhattan duke përfshirë edhe Queens-in dhe Museun e Artit American. Filmi pritet të lansohet më 16 dhjetor të vitit 2016.

 

Florim K. Hashini