Recensime Filmash

Chef (2014) – Recensim

chef-movie-still-5

Besoj që keni hasur shpesh në filma kur kah mesi i filmit gjërat nisin të ecin mirë për karakteret kryesore, ato të cilat iu kanë përcaktuar ti doni, dhe në një moment e shihni se gjërat janë duke ecur aq mirë sa që ju futet frika se do të ndodh diçka e keqe, pasi që është ‘tepër e mirë për të qenë e vërtetë’? Për shembull kur paraqitet policia dhe ju kërkon lejen e biznesit, gjë të cilën nuk e kemi parë të jetë bërë gjatë pjesës të mbetur të filmit. Zakonisht kjo do të duhej të ishte pika kritike, kur jeta e karaktereve kryesore, në këtë rast kryekuzhinierit-chef Carl Casper nis të shembet. Por, jo medoemos duhet të ndodh edhe këtu, dhe kjo e bën këtë film të kënaqshëm, pa futur mister dhe frikë se gjithçka do të prishet. Kjo të mundëson të mbështetë lirshëm dhe të shijosh këtë vepër të shkëlqyeshme të Favreau.

E Carl Casper (Jon Favreau) është kryekuzhinier në një restorant me renome në Los Angeles. Së bashku me Martinin (John Leguizamo) dhe Tonyn (Bobby Cannavale) janë duke u përgatitur për një kritik ushqimi (gjëja e vetme më e mirë se kritik filmi), Ramsey Michael (Oliver Platt) i cili do të jetë mysafirë për një shkrim bllogu (sikur ky). Derisa Carl provon të ndryshoj menynë, të jap diçka më kreative, ndërhyn pronari i restorantit Riva (Dustin Hoffman). Darka dështon të kënaq kritikun që nis një luftë virtuale ndërmjet tij dhe Carlit, e krejt kjo shpien deri tek përzënia e Carl nga vendi i punës. Kjo i hap derën të ndjek ëndrrën e jetës, të jetë kuzhinier kombi-kamioni. Dhe këtu fillon aventura që do të ju ndjek përgjatë gjithë filmit.

Jon Favreau është i njohur kryesisht për blockbusterët, dy filmat e parë të ‘Iron Man’ si regjisor, dhe për ata që e mbajnë në mend, ‘Elf’-in e mahnitshëm me Will Ferrell. Tek ‘Chef’ ai vjen në të gjitha rolet kryesore, aktrim, skenar, e regji. Skenat nuk janë të gjata, dialogët përfundojnë herë me këngë, herë vetëm me melodi të këndshme. Kapërcimi nga skena në skenë është i mrekullueshëm. Krejt këto e bëjnë të duket sikur Favreau ka pasur një detyrë të lehtë, pa presion, në këtë film, diçka që e ka kënaqur duke e bërë. Nuk më ka dëshpëruar tek filmat tjerë blockbusterë, por me këtë ‘indie’ ai vetëm sa ngjitet një shkallë më lartë për mua. Punë e mahnitshme mbrapa kamerave, njëjtë edhe para kamerave.

Ka një harmoni të shkëlqyeshme në skenë me Leguizamon, me të cilin kalon më së shumti kohë, ngjashëm si Emjay Anthony që për fillestar nuk është dëshpërues. Edhe Cannavale e Hoffman japin kontributin e tërë në skenat e pakta që kanë, ngjashëm si Johansson e Downey Jr. Ky i fundit sigurisht ka pasur për qëllim një largim nga monotonia e blockbusterëve, marrë parasysh projektet e tij të mëparshme dhe bashkëpunimin me Favreau. Për të mirë më befason performanca e Sofia Vergara, e cila në filma kryesisht përdoret si një karakter sipërfaqësor, derisa këtu vjen në shprehje më shumë aftësia e saj artistike se sa ‘sipërfaqja’ e saj. Është tamam si një nënë, grua.

Filmi, për neve që jemi në qejf të gatuajmë sa herë mundemi, që jemi tifozë të ushqimeve dhe kuzhinës, është një rrugëtim që na shton pasionin për gatim, në të njëjtën kohë duke na uritur gjithnjë më shumë. Por, jo gjithçka është tek ushqimi. Është një gërshetim aq i përkryer sa e bën ndër filmat më të mirë me temë kuzhinën dhe ushqimin.

Është një komedi që të kënaq, çdo sekondë, duke shkëlqyer në çdo aspekt. Nota personale 5/5, pasi gjithçka është e mirë këtu, gjithçka.

Luan Morina
Kritik filmi