Recensime Filmash

Captain Fantastic (2016) – Recensim

captain fantastic

‘Captain Fantastic’ na jep një pamje mbi ëndrrën më të thellë të shumicës prej neve. Porse, ky film e ngjyros atë ëndërr me guximin dhe zemrën që nuk e kemi. Kjo pasi në fund të fundit, tregimi i Benit mbetet vetëm një film i lezetshëm, i guximshëm, i një babai i cili sfidon sistemin të cilin shumica e urrejmë, por asnjëri nuk bëjmë gjë për ta ndryshuar.

E Beni është një baba i cili jeton në pyjet perëndimore të SHBA-ve, një baba i cili është duke rritur të gjashtë fëmijët e tij me stërvitje rigoroze fizike dhe edukim konservativ intelektual. Megjithatë, ditët e tyre në parajsë vijnë në fund kur gruaja e Benit dhe nëna e fëmijëve vetëvritet në një institucion për rehabilitim psikik.

Kjo ngjarje detyron Benin dhe fëmijët të futen në botën ‘normale’ në të cilën janë objekt përqeshjeje dhe nënçmimi nga të gjithë. Nga ky moment e tutje, skenari i Matt Ross provon të jap një balancë të mirave dhe të këqijave të sistemit të Benit. Derisa provon të bëj këtë, Ross e tepron në disa raste duke kaluar limitet e të dy anëve të ekuacionit.

Prandaj, derisa është ide e mirë kjo nga Matt Ross, duke një pavendosmëri, një paqartësi, ose thjeshtë është qëllimi i tij që të mos anoj kah asnjëri sistem i jetesës që kundërvihen në këtë film. Dikush mund të pranoj njëfarë përgjigje në fund, por unë nuk kam pranuar të marr një të tillë. Ndoshta i tëri film mund të ju duket si një ofrim i të mirave dhe të këqijave të jetës së Benit, për të vendosur ju fundin. Ndoshta…

Sidoqoftë, aktrimi jo vetëm i Viggo Mortensen, por edhe i fëmijëve, që të gjithëve është goxha i bukur, në nivel. Të bëjnë të bashkë-ndjehesh me ta si në tragjedinë që i godet, si në njoftimin e tyre me botën ‘normale.’ Kjo në një mënyrë na jep një dozë antipatie ndaj vet karakterit të Benit. Kjo sepse të jesh prindër është përgjegjësi, dhe po të ishit Beni a do të rrezikonit të rrisni fëmijët tuaj në atë mënyrë? Do të ishin ndryshe, por a do të ishin të lumtur?

Filmi sjell disa peizazhe magjepsëse. Udhëtimi i tyre me autobus është përgjegjës për shumicën e tyre. Janë disa skena që sjellin emocione të kundërta. Si këto skena, si vet ngjarja, na bën të konsiderojmë atë që po bëjmë. E nëse nuk ju sjell në këtë pikë, atëherë mendoj se mund të ketë qenë humbje kohe. Në fakt, është një rrugëtim tepër i nevojshëm, për secilin prej nesh. Një rrugëtim që s’do të merret nga asnjëri prej nesh. Jo që s’kemi qejf, por s’kemi guxim. Nota personale: 4/5