Recensime Filmash

Brief Encounter (1945) – Recensim

brief-encounter

“Është shumë lehtë, tepër lehtë të gënjesh kur të besojnë pa dyshim. Shumë lehtë dhe shumë degjeneruese.”

Kështu i thotë ndër të tjera bashkëshortit të saj Laura Jesson, derisa rrëfen për tradhtinë që ka bërë me Dr. Alec. Një ditë derisa po kthehej për në shtëpi, Laura takohet me Alecun në kafeterinë pranë stacionit hekurudhor. Filmi, i tëri, vjen në narracionin e Laurës e cila dëshmon çdo pikë të lidhjes së saj jashtëmartesore. E martuar me burrin e saj Fredin, i cili pëlqen të mbush fjalëkryqin e gazetës çdo mbrëmje si aktivitet relaksues familjar, dhe me të birin i cili pothuajse në tërësi lihet jashtë këtij narracioni, për tu përmendur në disa pika, pothuajse kyçe, Laura sjell një rrëfim me zërin e saj shqetësues që përshkruan, nganjëherë edhe me tepricë, të gjitha emocionet që ajo ka përjetuar gjatë kësaj kohe purgatori.

Derisa Celia Johnson dhe Trevor Howard kanë një harmoni që përshtatet me rolet e një çifti tradhtarësh (edhe Alec është i martuar), ata nuk shkëlqejnë në aktrimin e tyre. Kjo për faktin që i japin më shumë dramë se që nevojitej. Ndoshta kam fituar këtë përshtypje duke parë që një lidhje e tillë në filmat e sotëm portretizohet me shumë normalitet, derisa para gati tre-çerek shekulli ka qenë mëkat i rëndë. Përndryshe pjesa tjetër e aktrimit është në rregull.

I veçantë është skenari që sjell një tregim që lëviz në dy kohështrirje, që të dyja të pajisura me detaje të bashkërenditura për mrekulli. Pos përshkrimit mjedisor, filmi ka edhe një dialog të shkëlqyeshëm që mbush hapësirën e lënë boshe nga narracionin që sfidon trilogjinë (së paku pjesën e parë) të ‘Before Sunrise’. Pos tregimit të Lauras, në sfond vjen edhe tregimi për dashuriçkën që përjeton rojtari i stacionit i portretizuar nga Stanley Holloway (i njohur më shumë për My Fair Lady) dhe banakierja e kafeterisë së stacionit portretizuar nga Joyce Carey. Është një tregim i bukur që të shpërqendron dhe freskon nga tregimi goxha depresiv i Laurës.

David Lean kap disa kënde të bukura me kontrast të përshtatshëm me temën. Është punë e bukur e realizuar edhe nga ai që nuk mbetet mbrapa skenarit dhe aktrimit. Të tre të nominuar për Oskar (aktrimi vetëm për Celia Johnson). Kjo e bën ‘Brief Encounter’ një takim të shkurtër tonin me aferat jashtëmartesore në këndvështrimin e viteve ‘40ta të shekullit të kaluar. Është një takim i këndshëm që merr notën personale: 4/5