TV

Breakthrough – Sezoni 2

Edhe pse jemi pjesë e gjeneratës e cila ka përjetuar oraret e reduktimeve 3me3 e deri në 1me5, ndalja e rrymës elektrike qoftë edhe për 30 minuta shkakton telashe të shumta akoma. Nuk di si kemi mbijetuar atëherë, por edhe nuk di si mbijetojnë banorët e disa fiseve në Himalaje të cilët jo që s’kanë internetin pa të cilin sot nuk mund të jetojmë me gjasë, por nuk kanë as rrymë elektrike.

Problemi i tyre shtjellohet në episodin e fundit të sezonit të dytë të serisë ‘Breakthrough.

Edhe këtë sezon ‘Breakthrough’ në gjashtë episodet trajton tema që kanë të bëjnë me implikimin e teknologjisë në jetët tona moderne. Episodi i fundit, ky për rrymën, është ndër më të bukurit vizualisht por edhe ndër më inspiruesit. Arsyen do e vendosja tek fakti që është ndër më të realizueshmit nga të gjitha ngjarjet e përmendura në këtë sezon.

Interesant është edhe episodi për terrorizmin kibernetik. Është një episod që sfidon edukimin teknologjik të gjithë neve nga shumica e popullatës. Sjell një edukim themelor dhe sfidon sidomos domethënien e termit ‘haker’.

Episodi për dronët dhe përfshirjen e tyre në jetët tona, dhe parashikimi i të ardhmes me anë të informatave, të dhënave që mblidhen është diçka që provon të dal një hap tutje reales, sidomos kjo e fundit. Por, sidoqoftë janë episode interesante.

Mbresëlënëse janë edhe dy episodet që kanë të bëjnë më shumë me teknologjinë në shëndetësi – barnat psikologjike dhe metoda për shërimin e kancerit. Që të dyja japin njëfarë pamje shpresëdhënëse mbi këto dy pjesë të shëndetësisë. Por, sikur tek të gjitha episodet, edhe këtu janë vetëm gërvishtje e sipërfaqes së temave.

Sezoni i dytë i ‘Breakthrough’ është një udhëtim i mirë në një të ardhme, për momentin gjysmë-imagjinare. Nuk mbetet aspak mbrapa sezonit paraprak. Nota personale: 4/5