Battle Creek – Recensim piloti

David  Shore njihet për punën e tij në ‘House’ si producent dhe skenarist. Vince Gilligan njihet për punën e tij në ‘Breaking Bad’, gjithashtu si producent dhe skenarist. Bashkimi i të dyve që kanë shkëlqyer me serialet e lartpërmendura duke shënuar dekadën e kaluar televizive është premtues. Së paku në letër.

Fatkeqësisht, aftësia dhe përvoja e tyre nuk është trashëguar edhe në ‘Battle Creek’. Derisa tregimi mbetet klishe, ‘polic i mirë e polic i keq’, përgatitja teknike nuk dëshpëron. Megjithatë skenari mbetet i mangët, shterpë. Episodi i parë ndjek karakterin e Josh Duhamel i cili dërgohet në Battel Creek, një regjion i qetë, por pa asnjë avancim teknik për vite. Aty pranohet ngrohtësisht nga i gjithë personeli, pos nga karakteri i Dean Winters, i cili edhe pse nuk ka pasur ndonjë rol të madh nëpër seriale më parë, nuk është edhe aq i papërvojë. Duhamelin të gjithë e njohim nga ‘Las Vegas’ dhe ‘Transformers’.

Winters është ai polici i thjeshtë, lokal, me një pikëpamje negative dhe ta quaj klasike mbi botën. Trajton të dyshuarit vrazhdët, është ithtar i absolutes, kryesisht negative. Ndërkohë karakteri i Duhamel sjell një polic modern, me një pikëpamje më pozitive mbi botën, qëndrim më të butë ndaj kriminelëve. Pra, është pothuajse një lidhje ‘polic i mirë, polic i keq’, por me mungesën e fjalës lidhje.

Pos temës së cekët, të ngjashëm ishin edhe shifrat e para të shikueshmërisë. Kam pritur më shumë se një rejting prej 1.0 në CBS. Kjo vetëm sa e vërteton që seriali e ka fatin e vulosur, dhe mund të konsiderohet sukses nëse arrin 11 episodet e sezonit e parë dhe të fundit. Ndoshta do të rikthehem për të parë më shumë episode, por jo patjetër. Nota personale 4/5.

Luan Morina

Kritik për TV&Film

You might also like