Recensime Filmash

Batman v Superman: Dawn of Justice (2016) – Recensim

batman v superman

Në botën time të super-heronjve Batmani është njëra anë, dhe të tjerët ana tjetër. Derisa super-heroi im i preferuar gjithnjë ka qenë i angazhuar kundër zuzarëve tjerë të Gothamit, një duel me një super-hero tjetër nga universi i DC Comics sa ishte e pabesueshme, aq ishte edhe intriguese. Për këtë arsye ndoshta pritjet që kisha nga ky konfrontim ishin goxha me rezervë. Dhe të larta!

Që ky film ka përmbushur të gjitha pritjet që kam pasur nuk mund të thosha. Por, aq më pak do të mund të thosha që ka qenë zhgënjim. Për arsye të përmendura në paragrafin paraprak ka mundësi që të përqendrohem më shumë tek Batman se sa tek Superman në këtë recensim.

Për dallim prej shumicës, përzgjedhja e Ben Affleck në rolin e Batman ka qenë vendim tepër i mençur për mendimin tim, e ndoshta edhe më e mira. Affleck si me zotësinë në aktrim si me konstruktin e fizikut – në veçanti nofulla, kompleton portretin e Batmanit nga stripat.

Batmani tek ky film vjen pak më i pjekur në moshë, kemi disa flokë të thinjura, një karakter më serioz, një super-hero më serioz. Fytyra e Batman përshtatet me zymtësinë që sjell bota e Gothamit. Akoma i ka të njëjtat vuajtje që dëshmon anën e butë të çdo njeriu – qoftë edhe super-hero. Akoma provon të shpëtoj botën, qoftë edhe kundër diçkaje që nuk mund të mposhtet, diçka që është kriptonite. Batmani i ri për momentin nuk është aspak dëshpërues. Dhe ndoshta për herë të parë që nga Batman Begins, kemi një film ku Batman vjedh vëmendjen nga kundërshtarët e tij – Joker dhe Bane kanë lënë në hije Bale.

Sa i përket Henry Cavill si Superman, me të jemi njoftuar tek Man of Steel. Tashti ai merr një rol më antagonist në film – krejt kjo pasi vendos interesat private para atyre shoqërore. Cavill nuk sjell ndonjë ndryshim të madh nga paraqitja e tij e parë si Super-man, por kjo nuk më ka zhgënjyer. Nuk është Supermani më i mirë, dhe kjo nuk më brengos! Ama megjithatë harmonia e Cavill edhe Amy Adams bajagi më shkon nerva. Nejse, le të fajësojmë Amy Adams. Ka një shprehje fytyre shumë të lëndueshme për të qenë Lois. Nuk më pëlqen si portretizon këtë karakter sidomos kur kam parasysh Lois paraprak, në televizion e film.

Jesse Eisenberg sjell Lex Luthor në ekran. Dhe bën një punë shumë më të mirë se që kam pritur! Lë në hije Supermanin dhe lidhjen, dëshpëruese për mua, që ka me Lois. Është një karakter katalizator me disa skena bukur të realizuara nga Zack Snyder. Më ka pëlqyer ajo çfarë i ka dhënë filmit Eisenberg.

Diçka tjetër që më ka pëlqyer ka qenë Wonder Women. Gal Gadot e kap me zell rolin e saj duke dëshmuar që është e gatshme për këtë rol, jo vetëm një fytyrë e bukur. Ka pak skena dhe të lë të pritesh për të marr rolin e heroinës, diçka që nuk ndodh me Batmanin e Supermanin të cilët i shohim më herët në film. Edhe Gadot sikur Eisenberg arrin të japin më shumë filmit se sa Superman dhe Lois.

Ndoshta është pak i gjatë, dhe kjo ka ndikuar që të të ketë pak hapësirë të panevojshme në skenar, por megjithatë për mua është një film shumë mirë i realizuar, edhe pse e kam të vështirë të mbetem objektiv sa duhet kur flitet për Batmanin. Më ka munguar Michael Caine, por nuk më ka zhgënjyer Jeremy Irons. Diane Lane, e Holly Hunter kanë qenë të mira në rolet e tyre dytësore. Regjia ka qenë e mrekullueshme, vërtetë më ka pëlqyer shumica e pamjeve që janë sjell para neve.

Jam i ngazëllyer me epokën e re të Batmanit. Ndoshta është edhe më i miri deri më tani fal Ben Affleck, dhe teknologjisë filmike. Shpresoj të ketë më shumë filma për Batmanin, se sa të kemi Batmanin si karakter dytësor në shumë filma – Suicide Squad e radhës. Nota personale: 4/5

Luan Morina

Kritik filmi