Recensime Filmash

Batman: The Killing Joke (2016) – Recensim

batman the killing joke

Epo, i erdhi koha edhe shakave në titujt e filmave për Batman! Dhe kjo nuk është një risi aspak e neveritshme. Përkundrazi!

E kam cekur gjithnjë, në çdo shkrim, se e kam të vështirë të jem objektiv kur shkruaj për botën e Gothamit. Prandaj, dikujt mund ti duket si ekzagjerim kur them që ky film mund të jetë ndoshta në një nivel me filmat e fundit të Batman. Ndoshta edhe më i mirë se i fundit. Nejse, mos ta teproj! Është i mirë. Shumë!

Filmi përqendrohet më shumë tek Xhokeri. Është një rrugëtim në zanafillën e tij, në formësimin e njërit nga zuzarët më famëkeq të Gothamit. Provon të jap një anë pozitive në kohështrirjen para-Xhokeriane, një anë të butë, të lëndueshme të tij. Por, menjëherë në një kohë tjetër, kemi Xhokerin që sulmon mikun më të pambrojtur të Bruce Wayne, kapitenin Gordon dhe familjen e tij. Ky dyluftim disi në distancë ndërmjet këtyre dy karaktereve zgjat për pjesën më të madhe të filmit të animuar.

Përgatitja artistike duket të jetë bukur e realizuar. Detajet figurative kapen në maksimum, të ndihmuar nga një skenar i detajuar dhe i shpërndarë për merak, duke mbuluar tërë kohëzgjatjen e filmit. Sam Liu nuk është i panjohur për botën e Gothamit dhe të universit të DC. Puna e tij në të kaluarën qoftë në rolin e regjisori, qoftë në zanate tjera në prapaskenë duket të ketë sjell përvojën e mjaftueshme për të pasur një film goxha të përsosur.

Pra, është një film që shkëlqen në të gjitha aspektet. Është një tregim intrigues, sidomos për fansat e botës së superherojve, në veçanti atyre të Gothamit. Për neve janë plotë 76 minuta kënaqësi! Nota personale: 4/5