Recensime Filmash

Bad Neighbors 2 (2016) – Recensim

 

Për çudi, deri tashti kam parë çdo film të drejtuar nga Nicholas Stoller. Dhe ashtu si qëndrojnë punët, duket se do të vazhdoj këtë adet pasi Storks duket që ia vlen pas trailerave të parë. Deri të shfaqet Storks, vepra e fundit e Stoller i cili ka bërë edhe tituj solid si Get Him to the Greek, Forgetting Sarah Marshall, The Five-Year Engagement (ndoshta më i miri për mua), dhe Bad Neighbors, mbetet Bad Neighbors 2.

Ky film që vjen si vazhdim i të parit nuk është më i mirë se i pari. Për shumë arsye. Së pari, tema e të parit ka qenë më origjinale, dhe vazhdimi nuk ka këtë faktor në vete. Derisa adaptimi i tregimit në plan të parë duket të jetë interesant, joshës për publikun, shtjellimi nuk arrin nivelin e kënaqshëm të cilësisë. Pra, Mac dhe Kelly Radner kanë vendosur ta shesin shtëpinë e tyre pranë shtëpisë që më parë kishte qenë e një shoqërie studentësh. Pas zbrazjes së saj, gjithçka është qetë dhe mirë, derisa Teddy i cili akoma nuk ka heq dorë nga hakmarrja ndaj çiftit Radner, gjen figurat kryesore në nisjen e këtij plani. Shelby dhe dy shoqet e saja vendosin të krijojnë një shoqëri studentesh e cila si pikësynim kryesor ka argëtimin e pazakontë për këto grupe. Ato kërkojnë shtëpi dhe qëllojeni se cilën shtëpi do ta gjejnë?! Po, pra, atë përkrah Radnerëve. Dhe atë mu në atë periudhën ‘testuese’ 30 ditore që pronarët e ri të shtëpisë së Radnerëve kanë mundësi të heqin dorë nga blerja. Për të mos ndodh kjo, Radnerët nisin mobilizim kundër shoqërisë së re, dhe pastaj ndodh çfarë ndodh.

bad neighbours 2Në mesin e ndodhive janë edhe shumë ngjarje të gërditshme të cilat, kur kemi parasysh prezencën e Seth Rogenit, janë të pritura. Dhe kuptohet, aspak komike. Sigurisht që filmi përmban ngjarje komike në vete, mirëpo ato janë më pak se skenat e bijës së Radnerëve e cila gjithë kohën luan me një lodër banale të rriturish! Ç’dreqin ka komike aty?! Nejse, adoleshentëve mund t’iu duket, dhe pothuajse sigurisht do të ju duket komike!

Chloe Grace Moretz është ajo liderja e shoqërisë së studenteve, Shelby, e cila përbën një treshe që duket goxha si kopje e Pitch Perfect, dhe çdo filmi të ngjashëm – një bukuroshe dhe një të mbipeshë. Seth Rogen e Rose Byrne vijnë në rolin e Radnerëve përsëri, ngjashëm si Zac Efron si Teddy. Dave Franco është aty, dhe emri i Elise Vargas e cila luan rolin e bijë së Radnerëve pas disa viteve mund të jetë në listën e spitaleve mendore për shkak të torturave të përjetuara në këtë film, dhe turpit që do ta ketë më pas.

Bad Neighbors ka qenë i mirë. Jo kushedi çka, ama i mirë. Bad Neighbors nuk është aq i mirë. Mirëpo nëse keni shikuar të parin, atëherë duhet ta shikoni edhe këtë! Nota personae: 3/5