Author: Luan Morina

Filmi nis si narracion nga Max Waters (Paul Bettany) që flet për shkencëtarët Will dhe Evelyn Caster në kohën e shkuar. Nuk kalon shumë kohë dhe shohim këtë çift në kopshtin e tyre duke provuar të krijojnë një zonë të lirë nga ndërhyrjet e teknologjisë. Kjo vijon me fjalimet e tyre në lidhje me inteligjencën artificiale, për një botë humane të evoluar që shpien tek pyetja e njërit nga audienca nëse Will (Johnny Depp) dëshiron të krijoj zotin e tij.

Nga këtu e tutje kemi rrugëtimin e Will për tu bërë një zot i përzier me inteligjencën artificiale. Shtjellimi i tregimit provon të marr një nuancë filozofie duke përzier avancimin e teknologjisë. I shtyrë edhe nga faktorët e jashtëm dhe për të bindur të gjithë se mund të bëj atë që premton, Will zhvillon një produkt që do ta mbante të përjetshëm, por që në fund bëhet i sunduar i atij produkti, duke humbur ndjenjën humane.

Aktrimi është i mirë, nuk ka diçka të veçantë në të, pasi pjesa më e madhe ka të bëj me fotografinë dhe aspektin teknik që ka përpirë 100 milionë dollarë në buxhet duke rikthyer vetëm 3 milionë më shumë nga kinemaja. Një arsye shtesë pse është projekt i dështuar. Rebeca Hall vjen përkrah Depp në rolet kryesore. Harmonia e tyre në skenë nuk është kushedi çfarë niveli. Nuk preken askund, edhe pse do të duhej të ishin dy karaktere në martesë, në skenë duket një mur që ndalon në komunikimin skenik. Në rolet dytësore vijnë Cillian Murphy, Kate Mara, e Paul Bettany, duke mos harruar as Morgan Freeman.

Wally Pfister debuton në rolin e regjisorit, por duke mos lënë mbrapa përvojë që ka në kinematografi ku ka fituar edhe Oskar derisa ka bashkëpunuar me emra të njohur si Christopher Nolan. Ndoshta nuk është ide e keqe ti rikthehet profesionit të vjetër, pasi regjia e këtij filmi mund të jetë vetëm nga skenari që është edhe më i dobët. Edhe në skenar kemi një debutues, Jack Paglen që nuk ka kurrfarë përvoje në film, dhe kjo që i mbetet do të jetë negative.

Tregimi del të jetë absurd në pjesën e dytë të filmit kur Will mishërohet me sistemin kompjuterik duke kapur në një mënyrë botën në duar. Ndoshta njohësit e teknologjisë mund të kenë ndonjë bazë për të mbështetur premisën e këtij filmi, dhe ndoshta një ditë do të qeshemi ne që kritikuam këtë film, por jo vetëm premisa është e marrë. Edhe vet zhvillimi i filmit del të jetë i marrë.

Film i dobët. I cekët. Dështon në masë të madhe për kah skenari, e këtë nuk e mbulon as pjesa teknike. Film amator i realizuar nga amatorët. Nota personale 2/5 sepse nuk mund të notosh me njësh diçka që ka emrin e Morgan Freeman në të.

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article

network-logosJanë 28 seriale të reja që nisin transmetimin këtë sezon në kanalet kombëtare amerikane. Nëse shtojmë edhe serialet që debutojnë në kabllor ky numër arrin në 40.

Por, jo të gjitha janë seriale premtuese dhe që mund të mbijetojnë gjatë në televizionet amerikane. Shikueshmëria, orari i transmetimit, kritikat, e shumë faktorë tjerë ndikojnë në jetëgjatësinë e tyre. Në vazhdim mund të gjeni pesë dramat që më së shumti pritet të bëjnë bujë dhe të dominojnë shikueshmërinë e kritikat gjatë sezonit të ri televiziv

Gotham (Fox) – 22 shtator

Karakteri i preferuar nga bota e DC Comics për mua gjithnjë ka qenë Batman. Ky serial nuk sjell vet historinë e Bruce Wayne, por përqendrohet në vendlindjen e tij, Gothamin, në periudhën e para-Batman.

Sigurisht që nuk do të jetë po aq i suksesshëm sa seritë e filmave të Tim Burton e Christopher Nolan, por tematika e serialit do të jetë një shtesë për të gjithë të fansat e botës së Gotham. Do të kemi të gjithë kriminelët, Pinguinin, Xhokerin, Harvey Kent, Hugo Strange, e shumë tjerë. Dhe kundër këtyre detektivin James Gordon pa ndihmën e Bruce Wayne.

Ben McKenzie (mund ta njihni nga drama policore tepër e mirë Southland) vjen në rolin kryesor. Orari i transmetimit është paksa i vështirë kundrejt The Big Bang Theory, The Voice, e Dancing with the Stars, por qyshdoqoftë, ‘Gotham’ është sukses i garantuar.

 

How to Get Away with Murder (ABC) – 25 shtator

Shonda Rhimes sjell edhe një serial të prirë për të qenë i suksesshëm. Dhe kur kemi dikë si Viola Davis në rolin kryesor, atëherë shihet sa perfektë mund të jetë treshja e të enjteve të Shondas në ABC me heroinat Ellen Pompeo, Kerry Washington, e Viola Davis. Do të jetë një kombinim i mirë për të gjithë ata që përcjellin ‘Grey’s Anatomy’ dhe ‘Scandal’.

Tematika e serialit bazohet në një profesoreshë universiteti e cila me studentët e tyre ndërlidhet në një krim të planifikuar, me planin për të ikur pa u zënë. Pra, tematika premton mister që me përzierjen e dramës legale mund të jetë një alternativë e preferuar të enjteve në ora 10 kur përballet me ‘Elementary’ (inferior ndaj super-serisë së BBC-së, ‘Sherlock’) dhe ‘Parenthood’ që definitivisht hyn në sezonin e fundit.

Forever (ABC) – 23 shtator

Dr. Henry Morgan është një ekspert autopsie në Nju Jork. Ai ka një aftësi të mbinatyrshme – është i pavdekshëm. Sa herë që ndeshet me vdekjen, ai ringjallet në vende të çuditshme. Sekreti i tij është i ndarë me një rreth shumë të ngushtë njerëzish, por kjo është afër përshkallëzimit.

Është tematikë interesante dhe pilot episodi ka qenë mirë i realizuar. Ndihmë të madhe tematikës mund ti ofroj aftësia e karakterit kryesor të udhëtoj nëpër periudha të ndryshme historike, gjë që mësuam nga episodi i parë. Por, shkon në program në orarin që nuk ka mbijetuar asnjë serial viteve të fundit, të martave në ora 10 në ABC. Ka përballë dramën shumë të preferuar për mua ‘Person of Interest’, dhe ‘Chicago Fire’. Gjasat e vogla për të mbijetuar një kohë të gjatë. Ioan Gruffudd (Mr. Fantastic nga ‘Fantastic Four’) vjen në rolin kryesor.

The Flash (CW) – (7 tetor)

Një nga karakteret më të përfolura të DC Comics vjen në CW. Dhe tani aty ka mikun nga universi i tij, karakterin e Arrow. Botët e këtyre dy karaktereve ndërlidhen qysh në pilot episod, dhe është një çast vërtetë emocional për fansat e këtij universi.

Meqë të dy karakteret janë në të njëjtin kanal, nuk përjashtohen ndërlidhje të kohëpaskohshme që do të ishte një bonus për të gjithë.

Bota e The Flash duket më pak e errët se sa Arrow, ka një nuancë më të ngjyrosur dhe më të lumtur. Nuk ka mistere dhe dihet kush është miku e kush armiku.

Pa marrë parasysh orarin e transmetimit (të martave në 8 kundrejt NCIS dhe The Voice) ky serial është i garantuar për sukses, nëse trashëgon sado pak nga ‘Arrow.

State of Affairs (NBC) – 17 nëntor

Katherine Heigl rikthehet në televizion. Ajo do të jetë në rolin kryesor në dramën ‘State of Affairs’, si analstie e CIA-s e cila është e ngarkuar me përmbledhjen e informatave të sigurisë për presidentin. Ky triler politik, me ngjyrime spiunazhi ka një sukses të garantuar pasi që transmetohet në pushimin e ‘The Blacklist’ dhe pas ‘The Voice’.

Seriali ngjan të jetë sikur një lloj Olivia Pope, por kësaj radhe në role më të ndryshme. Besoj që do të jetë shumë më mirë se filmat që ka realizuar Heigl pas largimit nga ‘Grey’s’, si ‘Killers’, ‘One for the Money’, etj.

Alternativat…

Ia vlen të përmendim edhe ‘Constantine’ që për shijen time është shumë i errët, por s’dyshoj që do të ketë shikueshmëri të madhe tek ata që ju pëlqejnë tema si demonët, ekzorcizmi e të ngjashme.

Gjithashtu alternativë e mirë është ‘Agent Carter’. Edhe një karakter i Marvel vjen në televizion, dhe kësaj radhe në vend të ‘Marvel’s Agents of S.H.I.E.L.D.’ që ka vuajtur në joshjen e shikueshmërisë të favorshme gjatë sezoni të kaluar. Pos Hayle Atwell në rolin e Peggy Carter, ka edhe emra të njohur për neve si Chad Michael Murray (One Tree Hill), e Enver Gjokaj (Dollhouse). Ky serial nis në janar.

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Read Full Article

300_Rise_of_an_Empire_41360‘300’ ka qenë një film relativisht inovativ në disa aspekte kur kishte debutuar në vitin 2007. Pos realizimit teknik që sillte në lëvizje të ngadalësuar – slow motion, me të gjithë ato duele me shpata, solo-aksionet e 300 spartanëve, plot gjak, dhe një prapaskenë të errët ngjyrë gruri; edhe skenari ka qenë mirë i përpiluar.

‘300: Rise of an Empire’ dështon në të gjitha këto aspekte. Kjo më shumë për faktin se dëshiron të jetë një kopje indigo e filmit ‘300’. Pjesa e parë e filmit është e mbushur me solo-aksione që si risi sjellin vetëm më shumë gjak, shpata, dhe det. Prapaskena është më e zymtë me një ngjyrë më të hirtë. E ndërkohë edhe skenari nuk është aq interesant. Në fakt skenari duket i pakuptimtë deri në pjesën e dytë të filmit, pasi nuk dihet ndërlidhja me filmin paraardhës. Aty kemi një shpjegim, një ndërlidhje që nuk na bën të ndjejmë ndonjë simpati ndaj karakterit të Themistoklis.

Derisa tek ‘300’ kemi pasur Leonidasin që disi e kemi përkrahur në misionin e tij, këtu në fillim na servohet Themistoklisi si karakter pozitiv, një Leonidas tjetër, e vetëm më vonë për të kuptuar se nuk është aspak afër liderit të 300 spartanëve. Në anën tjetër Eva Green sjell Artemisan, një karakter që duhet të jetë antagonist, por me tregimin e historisë së saj, lë një qëndrim më të butë ndaj saj, krejt ndryshe nga ajo që shikuesi mund të ndjente ndaj Kserksit në ‘300’.

Lena Headey kthehet me rolin e mbretëreshës dhe është e vetmja nyje e dobishme me filmin paraardhës përkrah disa ‘retro-inserteve’ që shfaqen kohë pas kohe. E dikur edhe ajo futet në aksion, gjë e realizuar në mënyrë të pakuptimtë, pasi në atë skenë vetëm ajo është duke luftuar, derisa burrat tjerë rrinë mbrapa të ngrirë në vështrim.

Në përgjithësi, bota nuk ka pasur nevojë për një ‘300sh’ tjetër. Filmi vetëm sa të prish kujtimet e mira për filmin ‘300’ dhe nuk i afrohet aspak filmit paraardhës. Zakonisht vazhdimet rrallëherë tejkalojnë filmin e parë, por ‘300: Rise of an Empire’ kalon në një shkallë shumë të ultë se vazhdimet e zakonta.

Ndoshta mungon regjia e Zack Snyder, ndoshta mungojnë 300 spartanët, por më së shumti që ka munguar është tregimi me të cilin edhe nuk kanë mundur të sjellin edhe një epikë tjetër.

Film i cekët për kah skenari, i realizuar me një cilësi mesatare, jo shumë efekte të mira vizuale, me një kast jo kushedi sa të mirë. Nota personale 1/5 pasi nuk sjell asgjë të përafërt për kah cilësia me filmin ‘300’.

Read Full Article

non-stop

Së fundmi, me ‘Taken 2’ më saktësisht, disi cilësia e filmave me Liam Neeson në rolin kryesor merrte një ngjyrim të njohur si batutat me Chuck Norrisin. I vetëm karakteri i tij luftonte një ushtri të tërë, pa përjashtuar edhe një tufë të ujqve të egër.

Vet premisa e filmit ‘Non-Stop’ të bën të dyshosh që edhe ky film nuk do të ndryshoj shumë nga ata tjerët që përmenda. Por, nëse mendoni kështu siç mendova edhe unë, do të gaboheni. Pra, karakteri i Liam Neeson është një agjent i cili fluturon në udhëtime të ndryshme me qëllim që të ofroj sigurinë dhe të parandalojë ndonjë rrëmbim eventual të aeroplanëve.

Rasti i tij i fundit duket të jetë një rrëmbim më i komplikuar se zakonisht. Një kriminel që e kontakton vetëm me telefon dhe duket se ka sy brenda aeroplanit i bën shantazh atij duke kthyer të gjithë si jashtë edhe brenda aeroplanit të besojnë se vet karakteri i Neeson është rrëmbyesi i aeroplanit.

Kjo është vetëm pjesa e parë interesante e skenarit të filmit, që më ka befasuar për të mirë duke tejkaluar pritet e mija fillestar. Skenari bëhet më i shkëlqyeshëm në pjesën e dytë me lloj-lloj rrotullimesh. Misteri nis nga fillimi i filmit dhe të bën të dyshosh në secilën fytyrë që kap kamera, deri në fund. Kjo e bën filmin të shkëlqyeshëm – misteri dhe dyshimi në secilin, përfshirë edhe vet karakterin e Neeson.

E Neeson së fundmi është mësuar të bëj kësisoj filma aksion. Edhe nuk është se dështon në këtë zeje, përkundrazi vetëm sa e përsos dita e ditës. Por, përsëri disi të merr malli për të parë në karaktere si Oskar Schindler. Megjithatë Neeson është më shumë aktor për filma aksion se sa filma më artistik.

Impresionues është edhe kasti i filmit. Pos Neeson kemi edhe Julianne Moore, e Lupita Nyongo, të dyja të nominuara për Oskar, me Moore që ka një përvojë të hatashme dhe gjithashtu edhe një rol më të madh në film edhe pse jo statujën e Oskarit. Interesant është edhe aktrimi i Michelle Dockery dhe Corey Stroll, të cilët ishte përvojë e mirë ti shihje jashtë karaktereve që jemi mësuar ti shohim në serialet ‘Downton Abbey’ dhe ‘House of Cards’ respektivisht. Ngjashëm edhe Scott McNary që vjen nga ‘Halt & Catch Fire’, dhe Nate Parker që nuk ka aq përvojë në ekranin e vogël.

Në përgjithësi film më i mirë se që kam pritur. I realizuar shumë mirë, me skenar interesant që të mban interesimin deri në fund. Nota personale 4/5.

Read Full Article

tammy

Melissa McCarthy është e mrekullueshme në Mike&Molly. Harmonia në skenë me Billy Gardell e bën këtë serial të mrekullueshëm. Kjo harmoni mungon në pothuajse çdo film, së paku në ata që kam parë, të Melissa McCarthy.

Tammy është dështimi i radhës si komedi e McCarthyt. Angazhimi i Ben Falcone në regji dhe skenar të cilin e ka përgatitur së bashku me gruan e tij McCarthyn, e bën këtë film një projekt familjar që ishte prirë për dështim që nga fillimi. Jo vetëm pse është familjar, por sepse Falcone debuton në këtë zeje. Por, as regjia më e mirë nuk do të kishte shpëtuar këtë film. Skenari po. Ndoshta.

Kasti i aktorëve është i shkëlqyeshëm. Pos Melissa McCarthyt, kemi edhe Susan Sarandon, Kathy Bates e Allison Janney. Aty është edhe Sandra Oh që më shumë njihet për role jo shumë komedie (Grey’s Anatomy më). Në përpikëri me skenarin, në filmin në përgjithësi është edhe aktrimi i tyre. Më shumë ngjan në një projekt argëtues, një largim nga aktrimi serioz, dhe duket se kalojnë çaste të mira para kamerës në këtë film.

Vet filmi është një komedi torturuese fund e krye. Tammy (Melissa McCarthy) pasi kap burrin duke e tradhtuar vendos të ndryshoj jetën duke lënë punën dhe u nisur në një rrugëtim (temë bajate, shumë herë e elaboruar). Në këtë rrugëtim merr gjyshen e saj (Susan Sarandon) e cila është një alkoolike në rehabilitim. Ato takojnë dy meshkuj. Derisa pleqtë ia nisin ‘punës’, të rinjtë provojnë romancën – këtu është pjesa tjetër bajate. Pastaj takojnë karakterin e Kathy Bates dhe Sandra Oh, kanë një aheng të çmendur, gjërat shkojnë keq, jo për herë të parë, fundi është i lumtur për të gjithë. Bllah, bllah… bllah, bllah.

McCarthy dhe Sarandon kanë harmoni skenike shumë më të mirë tek ky sezoni i fundit i Mike&Molly. Në fakt Sarandon duket se së fundmi ka vendosur vetëm të shijoj aktrimin me kësisoj role të lehta, argëtuese për aktorët.

Melissa McCarthy është e shkëlqyeshme kur kamera nuk është gjithnjë para saj. Është e mrekullueshme për role dytësore (Bridesmaids dhe të gjitha serialet që ka bërë), por kësisoj projekte janë dështim. E më e keqja është që së bashku me të burrin, Ben Falconen tashmë kanë nisur projektin Michelle Darnell që vjen më 2016.

Por, filma si Tammy janë humbje kohe edhe pse nuk zgjat shumë, rreth 97 minuta. Nota personale 2/5 dhe atë kryesisht për shkak të kastit që ka. Fundi… mund të villni… seriozisht…

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article

The-Pretty-OneZoe Kazan së fundmi e kam parë në filmin ‘Ruby Sparks’, tek i cili kishte bërë edhe skenarin e filmit dhe kishte pasur rolin kryesor. Aty kishte shkëlqyer si në shkrimin e filmit si në portretizimin e karakterit që vet kishte krijuar.

Por, tek ‘The Pretty One’ aktrimi i saj vuan sidomos në çerek orën e parë të filmit. Këtu Kazan portretizon dy binjake me shtresë shoqërore të ndryshme, por shumë të dashura ndërmjet vete. Vërehet qartë mundimi i saj për të aktruar dy karaktere krejt të ndryshme në të njëjtë skenë. Vetëm pas vdekjes së karakterit më të ndrojtur, ajo disi e gjen një baraspeshë që e mban deri në fund të filmit.

Tema e filmit është e bazuar në dy motrat, Audrey dhe Laurel. E para vdes në aksident trafiku ku të dyjat ishin prezent, dhe njëkohësisht është një agjente e patundshmërive në qytet, me një jetë më moderne sesa Laurel që deri më tani kishte jetuar në fshat përkrah babait të saj. Me vdekjen e Audrey, Laurel merr vendin e saj jo me dëshirë, por vetëm pasi të gjithë, përfshirë edhe babanë e saj dyshojnë që ajo është motra e saj, Audrey.

Ajo me qejf pranon të futet në këtë aventurë të re, me të vetmin qëllim që të shijoj jetën e Laurel, por, kjo aventurë nuk do të jetë vetëm me gjëra të shijshme. Karakteri i saj i ndryshëm vërehet kur nis të dëshiroj të gjitha gjërat, njerëzit, dhe punët e kundërta që ka dashur e motra e saj.

Pra, më shumë ngjan në dramë se sa në komedi, por duke pasur parasysh që është vepra e parë e metrazhit të gjatë të Jenee LaMarque, atëherë më duhet të pranoj që është një punë e mirë fillestare. Regjia është mirë e realizuar, skenari nuk ka ndonjë mangësi të madhe, rrjedhja e ngjarjeve përputhet me kohëzgjatjen e filmit, dialogët janë mirë të lustruar. Por, sikur tek aktrimi, edhe këto fusha përmirësohen shumë pas vdekjes së njërës nga motrat. Pra, duhet të mundoheni që të kaloni 15 minutat e parë para se të ‘hyni’ në film. Nuk janë kushedi sa të veçantë, prandaj ndoshta edhe mund ti kaloni në tërësi, dhe pastaj sigurisht do të ju duket një film goxha i mirë.

Jake Johnson (New Girl, Drinking Buddies) ka një rol interesant që nuk ndryshon shumë nga rolet e tij të zakonta në veprat që kam përmendur në kllapa. Bën punë të mirë ngjashëm si John Carrol Lynch e Frances Shaw që kanë një hapësirë më të madhe në film. Interesante ishte edhe shfaqja sado e shkurtër e Danny Pudi. Edhe ky sikur Jackson ka të njëjtin qëndrim, të njëjtën shprehje fytyre sikur tek ‘Community’.

Film mesatar. Ia vlen të kaloni 90 minuta nëse e keni në qejf Zoe Kazan. Nuk është kushedi çfarë filmi, por, një notë mesatare prej 3/5 mendoj që do ti përshtatej duke pasur parasysh se është film debutues i LaMarque dhe ka një kast jo shumë të njohur.

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article

primetime-emmy-awards-moved-to-monday-for-2014Po të veja bast jetën time në parashikimin e fituesve të Oskarëve dhe Emmy-ve, edhe po të isha mace do të isha asimiluar deri më tani.

Por, fatmirësisht nuk jemi njeri që beson në filozofinë e bastit dhe akoma jemi gjallë që vit pas viti të bëjmë kësisoj parashikime dhe të ankohemi në ‘ekspertët’ e akademisë së filmit dhe televizionit. Këtë vit, pak më ndryshe pas çdo kategorie kam renditur favoriti tim dhe fituesin që besoj se ka gjasat më të mëdha të marr me vete Emmy-n me vete.

Dhe për fund, atë që e përsëris në çdo parashikim – pa marrë parasysh fituesin, ai serial që ju pëlqen juve, ai është më i miri për juve. Ndjehuni krenar për ato që i shikoni, që ju pëlqejnë. Llojllojshmëria e shijeve është ajo që i jep bukuri njerëzimit.

 

 

KOMEDI

Edhe këtë vit tek kategoria e komedive dominojnë komeditë single-camera. Një fitore plotësisht e merituar e ‘The Big Bang Theory’ do të ishte një fitore edhe për komeditë multi-camera, por, s’do të ndodh. Prej komedive tjera vetëm ‘Modern Family’ që të bën të qeshësh. Dhe unë komeditë i shikoj të qesh, jo të buzëqesh, nënqesh apo të bëj atë ‘qeshjen e brendshme’ serioze. Jo që janë seriale që nuk meritojnë Emmy, por asnjëra nga këto tjerat pos ‘Modern Family’ nuk meriton Emmy para ‘The Big Bang Theory’. Por, esnafët e Akademisë së Televizionit janë njerëz ‘serioz’.

Për arsyet që i përmenda më lart, Melissa McCarthy, Jim Parson, Allison Janney, e Ty Burrell janë favoritët e mi nëpër kategoritë kryesore të aktrimit. Por, pos Parsons, të tjerët nuk kanë shanse të mëdha për Emmy.

 

Komedia më e mirë

Favoriti im – “The Big Bang Theory”

Fiton – “Modern Family”

 

Aktorja më e mirë në komedi

Favoritja ime – Melissa McCarthy, “Mike & Molly”

Fiton – Amy Poehler, “Parks and Recreation”

 

Aktori më i mirë në komedi

Favoriti im dhe fiton – Jim Parsons, “The Big Bang Theory”

 

Aktorja më e mirë dytësore në komedi

Favoritja ime – Allison Janney, “Mom”

Fiton – Anna Chlumsky, “Veep”

 

Aktori më i mirë dytësor në komedi

Favoriti im – Ty Burrell, “Modern Family”

Fiton – më shumë gjasa Tony Hale, “Veep”, kategori e hapur

 

 

DRAMË

‘True Detective’ është fituesi i kësaj kategorie për mua. Ka qenë seriali më i mirë, së bashku me ‘Fargo’ që kanë debutuar këtë vit. Gjithçka është perfekte tek seriali, duke nisur nga aktrimi i Matthew McConaughey e Woody Harrelson, deri tek tregimi i mahnitshëm i xxxxxxxxxxxxxxxxxx. ‘Breaking Bad’ është seriali që ju pëlqen të gjithëve. Por, ka fituar Emmy edhe më parë, prandaj s’do të ndiheshin keq esnafët të votonin edhe për ‘True Detective’. Ngjashëm s’do të ndjeheshin keq të linin ‘Mad Men’ të fitonte sezonin e ardhshëm për finalen e serialit.

‘House of Cards’ në të tri kategoritë kryesore është i denjë për fitues. Por, s’do të fitoj, edhe pse më së afërmi për Emmy do të ishte Robin Wright që këtë sezon ka pasur një rol që ka rënë më shumë në pah. Edhe Kerry Washington nuk do ishte befasi të fitonte, por, edhe një fitore e Claire Danes do të ishte bajate. ‘Homeland’ ka pasur një sezon ‘meh’, dhe pos Mandy Patinkin, të tjerët nuk do të veçoheshin për mendimin tim nga ky serial.

Tek aktori më i mirë në dramë do të shkoja me Harrelson para McConaughey, pasi ka më shumë paralele në karakterin e tij me sfera të ndryshme, derisa McConaughey është detektivi me një të kaluar të mistershme. Harrelson ka një Emmy për Komedi me komedinë më të mirë të gjitha kohërave për mendimin tim ‘Cheers’. Por, meriton të vlerësohet edhe për dramë. Ngjashëm sa meriton edhe McConaughey.

Hamm duhet të pres finalen, Cranston ka fituar më parë, Spacey e meriton por ‘True Detective’, derisa Daniels e ka fituar vjet.

Në rolet dytësore Christina Hendricks dhe Jon Voight e meritojnë të vlerësohet për sezonet e shkëlqyeshme në serialet e tyre vitin e kaluar. Sidomos Voight ka qenë i mrekullueshëm tek ‘Ray Donovan’.

 

Drama më e mirë

Favoriti im – “True Detective”

Fiton – “Breaking Bad”

 

Aktorja më e mirë në dramë

Favoritja ime – Robin Wright, “House of Cards”

Fiton – Claire Danes, “Homeland”

 

Aktori më i mirë në dramë

Favoriti im – Woody Harrelson, “True Detective”

Fiton – Bryan Cranston, “Breaking Bad”

 

Aktorja më e mirë dytësore në dramë

Favoriti im – Christina Hendricks, “Mad Men”

Fiton – Anna Gunn, “Breaking Bad”

 

Aktori më i mirë dytësor në dramë

Favoriti im – Mandy Patinkin, “Homeland”

Fiton – Aaron Paul, “Breaking Bad”

 

MINISERI/FILM PËR TV

Sikur vitin e kaluar edhe këtu pres të dominoj filmi që trajton homoseksualitetin si temë. Vitin e kaluar ishte ‘Behind the Candalabra’ me Michael Douglas e Matt Damon që fitoi kategoritë kryesore në ministri/film për TV. Por, ‘Fargo’ ka qenë një ndër dy serialet më të mira të reja këtë sezon. Edhe pse është antologji, nuk besoj se sezonet vijuese do të mund ti afrohen cilësisë së këtij sezoni. Billy Bob Thornton është i mahnitshëm në të gjithë episodet, derisa ka një kast përkrahës që ka bërë punë të shkëlqyeshme. Nuk mund të lë pas as regjinë e sidomos skenarin, që të dyja në nivelin superior të televizionit.

‘Sherlock: His Last Vow’ ka pasur një sezon shumë të mirë, dhe që do të mbetet në kujtesë për një kohë të gjatë, deri në sezonin e ri, që përsëri do të vonohet së tepërmi. Harmonia e Cumberbatch dhe Freeman në skenë është e mrekullueshme, e ngjashëm nuk mbetet mbrapa as skenari.

Por, ‘The Normal Heart’ që nuk i afrohet në asnjë aspekt asnjërës nga dy miniseritë që përmenda do të mbledh shumicën e Emmy-ve. Pa meritë, kuptohet.

 

 

Miniseriali më i mirë

Favoriti im dhe fituesi-

“Fargo”

 

Filmi më i mirë për TV –

Favoriti im – “Sherlock: His Last Vow”

Fiton – “The Normal Heart”

 

Aktorja më e mirë në miniseri/film për TV

Favoritja ime – Kristen Wiig, “The Spoils of Babylon”

Fiton – dikush prej AHS

Jessica Lange, “American Horror Story: Coven” ose

Sarah Paulson, “American Horror Story: Coven”

 

Aktori më i mirë në miniseri/film për TV

Favoriti im – Billy Bob Thornton, “Fargo”

Fiton – Mark Ruffalo, “The Normal Heart”

 

Aktorja më e mirë dytësore në miniseri/film për TV

Favoritja ime – Allison Tolman, “Fargo”

Fiton – dikush prej AHS

Frances Conroy, “American Horror Story: Coven”

Kathy Bates, “American Horror Story: Coven”

Angela Bassett, “American Horror Story: Coven”

 

Aktori më i mirë në miniseri/Film për TV

Favoriti im – Martin Freeman, “Sherlock: His Last Vow”

Fiton – Jim Parsons, “The Normal Heart”

 

VARIETETE

Në kategorinë e serialeve varietetesh, ‘The Colber Report’ do të duhej të përsëriste suksesin e vitit të kaluar. Ka shumë arsye pse të fitoj ky program, që edhe për mendimin tim është më i përkryeri i këtij zhanri në televizion. E para arsye është pensionimi i karakterit të Stephen Colbert. Kalimi i tij në ‘The Late Show’ do të na sjell një Colbert më serioz dhe jo aq konservativ në mënyrë sarkastike sa është në emisionin aktual.

‘The Daily Show’ meriton çdo lëvdatë, por Jon Stewart ka mbushur raftin me Emmyt dhe hë fitoi, hë humbi nuk do të bënte ndryshim. ‘Last Week Tonight’ me John Oliver është shou që ka nisur me këmbë të mbarë këtë sezon. Për shkak të kufizimeve kohore nuk është në mesin e të nominuarve, por, për sezonin e ardhshëm qysh tani do e bëja favorit.

Do të më mungoj edhe ‘The Late Late Show’ me Craig Ferguson, i cili do të lë këtë shou në fund të vitit. Për mua do të mbetet njëri nga më të veçantit, më të mirët që kurrë nuk është shërbyer për talentin e tij në këtë zhanër të televizioni.

 

Shou varietet – Favorit im dhe fituesi

“The Colbert Report”

 

MANIAKAT

Ndërkohë Maniakët e serialeve – https://www.facebook.com/groups/TVManiakat/ kanë zgjedhur preferencat e tyre gjatë javës së kaluar me anë të sondazheve të realizuara në grup. Përzgjedhjet e tyre e pasqyrojnë edhe një herë njohurinë dhe shijen e veçantë që kanë anëtarët e grupit. Fituesit i gjeni në vijim:

Drama më e mirë – Breaking Bad

Komedia më e mirë – The Big Bang Theory

Miniseria më e mirë – Fargo

Aktorja më e mirë në Dramë – Kerry Washington (Scandal)

Aktori më i mirë në Dramë – Bryan Cranston (Breaking Bad)

Aktorja më e mirë në Komedi – Taylor Schilling (Orange Is the New Black)

Aktori më i mirë në Komedi – Jim Parsons (The Big Bang Theory)

Aktorja më e mirë në Miniseri/Film për TV – Jessica Lange (AHS: Coven)

Aktori më i mirë në Miniseri/Film për TV – Benedict Cumberbatch (Sherlock)

Read Full Article

vlcsnap-2014-06-15-17h56m00s21

Që nga tentimi i Stanisit për të marrë Kingslanding nuk më kujtohet që kemi pas episod beteje në ‘Game of Thrones’. Beteja e murit, ndërmjet Rojtarëve të Natës dhe Egërsirave të veriut solli një betejë në stilin e ‘Zotit të unazave’ me shumë qenie monstruoze, një infiltrim i armiqve që na bën të dyshojmë për fituesin, një komandat frikacak, etj. Ka shumë paralele që mund të hedhim ndërmjet LOTR dhe GoT, por nuk dua të hy në polemika me fansat e vetëm njërës nga këto, derisa ata që si unë i duan të dyja në mënyrat e veta, do të kuptojnë se çfarë dëshirojmë të themi, nëse i hedhin një freskim memories nga LOTR: The Return of the King.

Ishte një episod që në përgjithësi pothuajse u përqendrua tek Xhon Snou, me Sem si temë dytësore ndërlidhëse.

Pos që patëm një betejë të hatashme, përplot aksion, dyluftime, dhe murin e madh. Ishte episodi ku Xhon Snou doli në vijën e parë, dhe ngjashëm si vitin e kaluar mbetet karakteri kryesor në veri. Rojtarët e Natës ishin afër shpartallimit pas një dështimi strategjik dhe komandimeve të gabuara. Por, Snou shpëtoi ditën, për të vendosur të flijohet në fund. Se çfarë do të ndodh me të do të shohim në finalen, më të madhen që premtojnë producentët në këto katër sezonet.

Finalja e gjen Tormundin të zaptuar, derisa Igriten të vdekur. Shpresoj të mos jetë episod i përqendruar vetëm në veri, dhe i mbushur me betejë. Mjaftoi beteja e javës së kaluar, e edhe na teproi.

Na duhen disa përgjigje për Tirionin, Arjan, Sansan si dhe për Xhon Snoun. Ishte një sezon, ndoshta më i miri deri tashti. Dhe ka vetëm një kahje tash e tutje. Të bëhet edhe më interesant edhe më i mirë në sezonet në vijim.

‘Game of Thrones’ është ndër serialet më të mira të bëra ndonjëherë. Kjo s’do diskutim.

Read Full Article

vlcsnap-2014-06-15-17h56m44s145Kanë kaluar javë nga fundi i kësaj episode dhe ende e kam të vështirë të shkruaj diçka të denjë.

Megjithatë do të nis me Sansën dhe Bejlishin. E bija më e madhe e Starkëve duket se ka përfituar goxha shumë nga martesa e saj me Xhofrin. Planifikim dhe strategji e mençur, një trillim i shkëlqyeshëm që do ti përfitojë kohë pranë dinakut më të mëdha në shtatë mbretëritë dhe mikut të saj të vetëm për momentin. Do të mbetet të shohim çfarë do të ndodh pas bashkimit me Arjan.

E shumëkush ka diskutuar çfarë ishte ajo e qeshur tmerruese e Arjas kur mësoi që e tezja ishte e vdekur. Mendoj që nuk kishte të bënte fare me tezen e saj, sa kishte të bënte me kujdestarin e saj i cili përkundër tërë këtij mundimi do të mbetet pa shpërblimin e tij të shumëpritur.

Një fund jo i mirë edhe për Sër Xhorah. Ishte çudi se si merrnin lajmet në KingsLandin për veprimet e Kalisit. Tani e dimë se si. Dhe është me anë të mënyrës që më së paku e prisnim. Interesante do të jetë se si do të lëvizin proceset përtej detit tani me largimin e Xhorah. Kushedi a do të shohim më karakterin e tij.

Dhe pjesa kryesore e serialit që dënoi një tjetër karakter favorit, ndërkohë një tjetër u shpërblye përkundër të gjitha gjërave që i bëri Thionit. Ramsaj Snou tani ka baba.

E Oberini kaloi të gjitha fazat para se të vritet. Qëndroi për një kohë në hije. Pati pak minuta në skenë kah fillimi duke thumbuar karakteret negative të serialit. Doli në skenën e parë duke mbrojtur karakterin favorit. Dhe kur të gjithë prisnim triumfin e tij, ai shtypet në mënyrën më mizore që kemi parë në ‘Game of Thrones’ deri tashti.

Oberini do të na mungoj, por jemi mësuar me këso gjërash nga George. Edhe pse vitin e kaluar pata premtuar se do të marr me rezervë gjithçka që ka të bëjë me këtë serial, kish harruar këtë premtim ndaj vetvetes dhe u kapa ‘në ofsajd’.

Skena si kjo më detyrojnë të mos lexoj librat. Sa të dhimbshme, këto skena janë ato që i japin shije serialit. Gjithkush mund të vdes, edhe atëherë kur më së paku e pret, edhe pse për Oberinin kjo ishte më se e dukshme.

Në fund të fundit ‘Game of Thrones’ vazhdon dhe ne do ta shikojmë edhe më tutje.

Read Full Article

James-McAvoy-in-Filth-2013-Movie-Image

Siç tregon edhe vet titullin filmi ‘Filth’ është i mbushur me fëlliqësira. Ka nga të gjithat, skena për të rritur, narkotikë, alkool, dhunë, e deri tek halucinacionet e pështira të Robos dhe të gjitha vijnë me një dozë të shtuar të fëlliqësisë.

Megjithatë të gjitha këto ia vlen të durohen për aktrimin të mrekullueshëm të James McAvoy. Aktorin skocez e kemi parë në tituj si ‘Last King of Scotland’, ‘Wanted’ e deri tek filmi i fundit ‘Trance’. Në fakt me këtë të fundit mund të hedhim disa paralele që i bëjnë të ngjashëm, por ka mjaft shumë gjëra për ti dalluar.

Filmi tregon storien e një detektivi të obsesionuar me promovimin në detyrë. Për të arritur këtë qëllim ai është i gatshëm të bëj gjithçka që ekziston, pa kurrfarë kufiri moral. Dhe shumica nga këto vijnë në formë komike për neve si shikues dhe karakterin kryesor të Robos. Kjo krijon një lidhje ndërmjet neve si shikues dhe karakterit, lidhje që del në pah në pjesën e dytë të filmit, kur karakteri futet në vështirësi që as vet nuk mund ti kontrolloj më.

James McAvoy vjen në rolin kryesor. Ai shkëlqen gati si asnjëherë më parë. Është ndoshta filmi që më së shumti përqendrohet rreth karakterit të tij, gjë që i ndihmo atij të hedh në pah të gjithë aftësitë artistike që ka. Vet karakteri i tij kalon nëpër disa faza të ndryshme gjatë filmit, siç përmenda më lart duke rënë nga karakteri që ka të gjithë në gisht, në karakterin që pëson në fund. Pos këtyre dy pozitave të kundërta, kemi edhe një skenë që shfaq karakterin e tij të butë, kur tenton të shpëtoj jetën e një qytetari të thjeshtë. Kjo dhe tregimi rrjedhës nga kjo skenë që vijnë si në ‘prapaskenë’ të tregimit kryesor kanë një ndikim më të madh se kaq, nëse dëshirojmë të analizojmë.

Tregimi mirë është i shtjelluar. Karakteret dytësore kanë një punë dytësore, ndihmëse në zhvillimin e tregimit të Robos. Këta aktorë si Imogen Poots, Jamie Bell, Eddie Marsan, e deri tek Jim Broadbent kontribuojnë shumë mirë në shpërndarjen e tregimit. Por, gjithçka mbetet nën hijen e paraqitjes të mrekullueshme të James McAvoy. Për mendimin tim ai shfaq aktrimin më të mirë të karrierës në këtë film.

E Jon S. Baird që duket se ka bërë filma huliganësh deri tani, tek ‘Filth’ bën një punë të mirë, që përsëri mbetet në hije të McAvoy. Por, ky film nuk pritet të jetë ai që do ta nxjerr në dritën e famës. Së paku jo për momentin.

Nota personale 8/10 – filmi i kënaqshëm, komedi, e përzier me dramë në pjesën e dytë. James McAvoy i mahnitshëm.

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article