Author: Luan Morina

hail caesar

Për komunizmin dhe tentimin e ndikimit të kësaj fryme në Hollywood së fundmi kemi pasur filmin ‘Trumbo’ me Bryan Cranston. Derisa ky tregim ishte i bazuar në ngjarje të vërtetë, Coenët sjellin një botë të asaj periudhe, porse të trilluar.

Eddie Mannix është një fiksues i prapaskenave të botës kinematografike. Nuk është as producent, as regjisor, as ndriçues, as aktor, as statik, asgjë. Emri i tij nuk figuron askund, pos në derën e tij. E aty trokasin kokat kryesore në kinematografinë e viteve 1950ta. Mannix është ai që duhet të mbledh klerikët për të diskutuar nëse një skenë në film është ofenduese për fe, duhet të ju jap informata ‘të brendshme’ gazetarëve, duhet të ‘ngre’ veshët atyre që s’binden. Pra, është dikush që bën gjithçka që nevojitet për tu bërë në hije dhe që në dritë do të ishte joligjore.

Mannix portretizohet nga Josh Brolin. George Clooney është një aktor që luan perandor romak. Pasi helmohet në skenë, ai vidhet nga ‘komunistët’ të cilët e dërgojnë në mbledhjet e tyre për të promovuar programin që i lë goxha përshtypje, Baird Whitlockut, karakter të cilin e aktron Clooney.

Laurence Laurentz është regjisor që duhet të përshtat në skenë romantike një aktor kauboji. Ai portretizohet nga Ralph Fiennes. Scarlett Johansson, Tilda Swinton, Channing Tatum, Jonah Hill, Frances McDormand, e Aiden Ehrenreich vijnë në rolet tjera të palidhura ndërmjet vete, sa me karakterin e Brolin.

Coenët sjellin një film tipik, por nën-mesatare të cilësisë së tyre. Është i bukur, ka ngjyra të mira, batutat të kohëpaskohshme, dhe vërehet dora e tyre. Por, nuk ka gjë të veçantë, nëse kërkoni diçka të tillë. Ama nuk është zhgënjim. Nota personale: 3/5

Read Full Article

angry birds

Të them të drejtën, kam qenë shumë skeptik në konvertimin e kësaj loje në film. Ndoshta për arsye se minutazhi që kam kaluar duke luajtur këtë lojë është më i shkurtër se ai i filmit. Dhe filmi nuk është shumë i gjatë. Kohëzgjatja është tamam, dhe kjo është ndër disa anë pozitive të filmit.

Në anët pozitive do të rreshtoja edhe skenarin. Është i thjeshtë, aspak i komplikuar, i shtjelluar mirë në një shtrirje të përshtatshme, i pa komplikuar. Ndoshta për shkak se kjo ishte puna e parë në karrigen e regjisorit për Clay Kaytis e Fergal Reilly, qëllimi ka qenë të realizohet thjeshtë dhe bukur. Ky qëllim i supozuar është realizuar me sukses.

Shpezët janë të inatosura. Shkojnë në një qendër rehabilitimi. Pastaj vijnë derrkucët, në fillim si miq. Red është skeptik. Skepticizmi i tij del të jetë i qëlluar, por heroizmi i tij mbetet të shihet. Pra, është një tregim i thjeshtë, i kuptueshëm edhe për një fëmijë tre vjeçar.

Zërat e huazuar më kanë pëlqyer. Janë disa emra të këndshëm për mua si Jason Sudeikis, Josh Gad, e Danny McBride. Kasti plotësohet me Bill Hader, Peter Dinklage, Tony Hale, e Maya Rudolph. Një grumbull emrash ku shumica e tyre sjellin bagazhin e SNL.

Pra, ‘Angry Birds’ është një film i animuar i thjeshtë, i realizuar për merak, i përshtatshëm për kohë familjare, pa potencial për t’ju zhgënjyer. Nota personale: 3/5

Read Full Article

dad

Njëri ndër serialet më të dashura britanike për mua është ‘Dad’s Army’. Adaptimi në ekran të madh i këtij seriali televiziv ka qenë një ndër pritjet më të mëdha për dimrin e kaluar. Por, ndoshta do të ishte mirë të mësoja nga adaptimi i ‘Mrs Brown’s Boys’. Injorimi nuk më ka kryer punë. Vetëm sa më ka sjell zhgënjim me këtë film.

‘Dad’s Army’ ka mungesë skenari. Mungesë serioziteti. Një spiune joshëse gjermane vjen për të infiltruar grupin lokalë në një vendbanim bregdetar britanik. Pushtimi gjerman pritet të nis nga ky vend, dhe informatat më të hollësishme ju sjellën nga kjo spiune e cila vëzhgon një grup pleqsh impotent lokal. Derisa njëri është profesor i spiunes, të tjerët janë të panjohur dhe sidomos komandanti i grupit joshet nga ajo. Kjo sjell një dyluftim bricjapësh ndërmjet komandantit dhe profesorit për ‘dashurinë’ e saj.

Por, pjesa më e madhe e komedisë, për mua e vetmja, është e përqendruar tek ndodhitë që ndodhin në stërvitje të grupit i cili përbëhet nga disa prej emrave më të njohur të kinematografisë britanike për momentin. Nëse i keni parë më herët në ndonjë film, Michael Gambon, Bill Nighy, Toby Jones, Tom Courtenay, do të gjeni humorin vende-vende. E në rolin e spiunes vjen Catherine Zeta-Jones e cila nuk ka deficit bukurie as në këtë moshë.

Përkundër këtyre emrave, ‘Dad’s Army’ mbetet zhgënjim për mua. Badihava jam lodhur të gjej gjëra pozitive në këtë film, fotografia, kasti, disa skena komike. Filmi, pos nëse keni arsyet e mësipërme për ta shikuar, do të zhgënjej çdokënd të panjohur me serialin apo me kastin e aktorëve. Nota personale: 3/5

Read Full Article

The Legend of Tarzan

Christoph Waltz vërtetë i ka zanat rolet e antagonistëve, mirëpo jo të gjitha nga ato role janë kryevepra. I tillë është roli i tij në filmin ‘The Legend of Tarzan’. Këtu Waltz është një biznesmen kapitalist në kërkim të thesareve në Kongo. Në misionin e tij të parë ai ndalohet nga banorët vendas të cilët i falin jetën dhe i premtojnë thesaret në këmbim të Tarzanit.

John Clayton tani është duke bërë një jetë aristokrate në shtëpinë e prindërve në Angli. Me të është Jane e cila akoma nuk mund të mbetet shtatzënë. Kanë një jetë të lumtur e të hareshme derisa John ftohet për tu kthyer në vendlindje pas një marrëveshje ndërmjet karakterit të Waltz – Leon Rom, dhe partnerit të tij në krim – qeverisë britanike. Pasi bindet të kthehet në udhëtim, Johni i cili portretizohet nga Alexander Skarsgard, me vete do të marr edhe Jane këmbëngulëse për të mos e lënë vet dhe zyrtarin George Washington Williams, një mik i tij.

Skarsgard vjen në portret të Tarzanit tek i cili ndërhyrje ka pasur edhe departamenti i efekteve vizuale duke sjell ekstremitete më gjigante, gjë që shfaqet në plan të parë në detaje qysh në fillim të filmit. aktrimi i Skarsgard, ngjashëm si i Waltz është mesatar. Pak më ndryshe ishte Samuel Jackson në rolin e Washingtonit, duke sjell në jetë në këtë film një karakter më të butë që nuk i shkon me shumicën e karaktereve që ka në portofolin e tij goxha vulgar sa i përket oratorisë. Margot Robbie vjen në rolin e Jane, duke mos devijuar nga trajektorja e cilësisë së aktrimit në këtë film.

Nën trajektoren e filmit gjendet ajo e skenarit, për kah cilësia. Është një tregim i thjeshtë, një mision i thjeshtë që devijon me pjesëza historie nga jeta e Tarzanit, pjesëza këto të dobishme, të mira. Edhe të nevojshme për ndërlidhjen e tregimit që shtjellohet, gjithashtu. Ndërkohë regjia nga David Yates është pak më lart se skenari. Më pëlqen puna e tij dhe manovrimet që bën me përdorimin e efekteve vizuale.

Filmi është i pashëm, ka efekte të bukura dhe fotografi edhe më të bukur. Por, kjo mjafton vetëm për një film mesatar, interesant, jo shumë të gjatë e të kotë. Nota personale: 3/5

Read Full Article

x-men apocalypse

Nëse ka një emër që di të nxjerr maksimumin nga universi i X-Men atëherë ky është Bryan Singer. Më duket si një lidhje e përkryer kjo, dhe çdo prodhim i kësaj lidhjeje veç sa bëhet më i përkryer, sidomos kur në pako me Bryan Singer vjen edhe Simon Kinberg. E njëjta vlen edhe për ‘X-Men: Apocalypse’.

S’do të doja të hidhja paralele ndërmjet filmit të kaluar ‘Days of the Future Past’ apo me dy filmat e parë të X-Men. Edhe po të doja, s’besoj që do të mundja. Secili ka një specialitet në vete, diçka që e bën sa të veçantë, aq edhe të përbashkët me filmat e universit të mutantëve.

Filmi nis me Apokalipsin – një mutant i varrosur në kohërat e Egjiptit të Lashtë. Kur ai ngrihet nga të vdekurit vendos të marr nën sundim botën nga krijesat e dobëta – njerëzit e zakonshëm. Një veti e Apokalipsit është që zmadhon fuqinë e veçantë që e ka secili mutant. Për fillim arrin të gjej disa përkrahës, por skuadra e Profesor Xavier si gjithnjë është në anën e humanëve ‘normal’. Magneto duket se ka rregulluar jetën në një vendbanim të largët nga njerëzimi. Raven është në ndjekje të tij. Pastaj kemi klasën më me përvojë të mutantëve, dhe fillestarët që nisen në misionin e parë e që duket se do të jetë më i vështiri.

Më ka pëlqyer, së tepërmi skenari që nuk mbetet aspak mbrapa filmit të kaluar. Ka shumë skena të mahnitshme – Magneto, Quicksilver, Moira, e skena tjera të betejave. Realizimi vizual është i mrekullueshëm, tregimi loqkë i përpunuar. E aktrimi i përkryer. Më ka pëlqyer përshtatja e gjeneratës së re të mutantëve të cilët edhe pse është e pamundur të zëvendësojnë Ian McKellen e Patrick Stewart, kanë arritur në masë të madhe të mbulojnë atë zbrazësi. Ndërkohë kurrë nuk kam qenë më i bindur se pas këtij filmi që Hugh Jackman ka bërë veprimin më të mençur të pensionimit nga kjo franshizë. Është koha për talente të reja të cilat kanë kryer punën me zell tek ky film.

Personalisht mua, X-Men: Apocalypse më ka kënaqur për pjesën më të madhe të filmit. Ka gjithçka që do të kërkoja nga një film i këtillë. Nota personale: 5/5

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article

me before you

Jeta është e paparashikueshme. Del një mëngjes me shi nga banesa shëndosh e mirë dhe të godet mjeti që është 27fish më vdekjeprurës se sa vetura, motoçikleta (shifrat zyrtare në SHBA për vitin 2014). Si pasojë mbetesh i palëvizshëm dhe i ngujuar për një karrige hendikepi për pjesën e mbetur të jetës. Këtë fat e kishte pasur karakteri kryesor i romanit të Jojo Moyes i përkthyer në film nga vet autorja e librit.

Will Traynor pas aksidentit është mbyllur në një hapësirë të kështjellës familjare duke këputur çdo lidhje me njerëzit e tjerë. Tani ai ka nevojë për një ndihmëse. Dhe ndihmësen e gjen në nënën e dragonjve. Dhe ajo nuk vjen e vetme nga Westeros. Sikur për Willin, jeta ka qenë e paparashikueshme, por jo aq mizore edhe për atë që ka hy në tualet dhe nuk ka dal më! Spoiler?! Pos, Tywin Lannister, Khaleesit, këtu kemi edhe Clara Oswald – asistenten më të bukur të Doktorit deri më tash. Mos të harroj edhe Neville Longbottomin!

Mos u bëni merak nëse s’keni kuptuar pjesën e dytë të paragrafit të kaluar. Ajo çfarë ka rëndësi është që ‘Me Before You’ sjell një tregim ngrohës për zemër, një dramë bukur të përpunuar, që ngjason në romancat e zakonshme filmike, por që sipas trendit gjithnjë po godet muret e ngjarjeve klishe, gjë që edhe këtë film e bën më të mirë.

Louisa Clark është një vajzë e ndryshme – ka shije të veçantë të modës. Punon për të mbajtur shtëpinë, është e çiltër, e hareshme, e dashur. Pas mbylljes së lokalit nis të kërkoj punë tjetër dhe këtë e gjen si ndihmëse e Willit. Këtu nis tregimi i këtyre dyve që është një histori tepër e përkryer për të qenë e vërtetë, gjë që personalisht nuk më ka pëlqyer. Thjesht, është diçka tepër joNormale!

E di që kjo ju pëlqen shumicës ndoshta, mirëpo do të kisha preferuar diçka më pak të përkryer, më pak klishe, më pak e zakontë. Por, megjithatë është diçka mirë e përpunuar, një tregim bukur i ndërlidhur. Si skenari ashtu edhe regjia nuk më dëshpërojnë. Hiq më inferior nuk është as aktrimi. Personalisht për mua ishte interesante të shihja karaktere nga Game of Thrones, Downton Abbey, Doctor Who, e Harry Potter në role pak më ndryshe. Që të gjithë bëjnë atë punën e tyre si duhet. Për këtë duhet të lavdëroj edhe skenarin që i ka gjetur secilit vendin e tij në film, rolin për të luajtur në tregim.

Pra, ‘Me Before You’ është një film i ngrohtë, bukur i realizuar, një dramë romantike e thjeshtë që nuk zhgënjen aspak. Nota personale: 4/5

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article

batman v superman

Në botën time të super-heronjve Batmani është njëra anë, dhe të tjerët ana tjetër. Derisa super-heroi im i preferuar gjithnjë ka qenë i angazhuar kundër zuzarëve tjerë të Gothamit, një duel me një super-hero tjetër nga universi i DC Comics sa ishte e pabesueshme, aq ishte edhe intriguese. Për këtë arsye ndoshta pritjet që kisha nga ky konfrontim ishin goxha me rezervë. Dhe të larta!

Që ky film ka përmbushur të gjitha pritjet që kam pasur nuk mund të thosha. Por, aq më pak do të mund të thosha që ka qenë zhgënjim. Për arsye të përmendura në paragrafin paraprak ka mundësi që të përqendrohem më shumë tek Batman se sa tek Superman në këtë recensim.

Për dallim prej shumicës, përzgjedhja e Ben Affleck në rolin e Batman ka qenë vendim tepër i mençur për mendimin tim, e ndoshta edhe më e mira. Affleck si me zotësinë në aktrim si me konstruktin e fizikut – në veçanti nofulla, kompleton portretin e Batmanit nga stripat.

Batmani tek ky film vjen pak më i pjekur në moshë, kemi disa flokë të thinjura, një karakter më serioz, një super-hero më serioz. Fytyra e Batman përshtatet me zymtësinë që sjell bota e Gothamit. Akoma i ka të njëjtat vuajtje që dëshmon anën e butë të çdo njeriu – qoftë edhe super-hero. Akoma provon të shpëtoj botën, qoftë edhe kundër diçkaje që nuk mund të mposhtet, diçka që është kriptonite. Batmani i ri për momentin nuk është aspak dëshpërues. Dhe ndoshta për herë të parë që nga Batman Begins, kemi një film ku Batman vjedh vëmendjen nga kundërshtarët e tij – Joker dhe Bane kanë lënë në hije Bale.

Sa i përket Henry Cavill si Superman, me të jemi njoftuar tek Man of Steel. Tashti ai merr një rol më antagonist në film – krejt kjo pasi vendos interesat private para atyre shoqërore. Cavill nuk sjell ndonjë ndryshim të madh nga paraqitja e tij e parë si Super-man, por kjo nuk më ka zhgënjyer. Nuk është Supermani më i mirë, dhe kjo nuk më brengos! Ama megjithatë harmonia e Cavill edhe Amy Adams bajagi më shkon nerva. Nejse, le të fajësojmë Amy Adams. Ka një shprehje fytyre shumë të lëndueshme për të qenë Lois. Nuk më pëlqen si portretizon këtë karakter sidomos kur kam parasysh Lois paraprak, në televizion e film.

Jesse Eisenberg sjell Lex Luthor në ekran. Dhe bën një punë shumë më të mirë se që kam pritur! Lë në hije Supermanin dhe lidhjen, dëshpëruese për mua, që ka me Lois. Është një karakter katalizator me disa skena bukur të realizuara nga Zack Snyder. Më ka pëlqyer ajo çfarë i ka dhënë filmit Eisenberg.

Diçka tjetër që më ka pëlqyer ka qenë Wonder Women. Gal Gadot e kap me zell rolin e saj duke dëshmuar që është e gatshme për këtë rol, jo vetëm një fytyrë e bukur. Ka pak skena dhe të lë të pritesh për të marr rolin e heroinës, diçka që nuk ndodh me Batmanin e Supermanin të cilët i shohim më herët në film. Edhe Gadot sikur Eisenberg arrin të japin më shumë filmit se sa Superman dhe Lois.

Ndoshta është pak i gjatë, dhe kjo ka ndikuar që të të ketë pak hapësirë të panevojshme në skenar, por megjithatë për mua është një film shumë mirë i realizuar, edhe pse e kam të vështirë të mbetem objektiv sa duhet kur flitet për Batmanin. Më ka munguar Michael Caine, por nuk më ka zhgënjyer Jeremy Irons. Diane Lane, e Holly Hunter kanë qenë të mira në rolet e tyre dytësore. Regjia ka qenë e mrekullueshme, vërtetë më ka pëlqyer shumica e pamjeve që janë sjell para neve.

Jam i ngazëllyer me epokën e re të Batmanit. Ndoshta është edhe më i miri deri më tani fal Ben Affleck, dhe teknologjisë filmike. Shpresoj të ketë më shumë filma për Batmanin, se sa të kemi Batmanin si karakter dytësor në shumë filma – Suicide Squad e radhës. Nota personale: 4/5

Luan Morina

Kritik filmi

 

Read Full Article

triple 9

I dini ata filmat që kanë trailerat më të mirë se sa filmin?! Triple 9 është një film i tillë.

Hajdutë, policë, vjedhin bankën, ikin në arrati. Kate Winslet, Gal Gadot udhëheqin nga nëntoka. Woody Harrelson në stilin e tij sarkastik! Krejt këto servohen në trailer.

Në film – një bandë kriminele e përzier me policë dhe hajdutë vjedhin një bankë. Për pjesën tjetër të filmit mbeten duke provuar të ikin nga detektivët dhe ti qërojnë hesapet me shefat e tyre. Ngjarja e madhe ndodh në fillim të filmit dhe pastaj nis misioni i mbulimit të krimit që përfshin edhe vrasjen e një oficeri policie.

Nga pjesëtarët e bandës secili ka edhe misione tjera, dhe kjo provon të devijoj pak nga tema kryesore, por pa sukses. Me çdo minutë që kalon në vend që të thjeshtohen, gjërat komplikohen pa nevojë, përzihen bëhen lëmsh. Kjo ndodh njëkohësisht derisa tema kryesore zhvillohet dhe thjeshtohet, por sikur për ta bërë më interesante dhe më pak të kotë skenaristi ka vendosur të gjuaj detaje bash të panevojshme. Skenari vjen nga Matt Cook i cili debuton në film të metrazhit të gjatë. Nëse karriera vazhdon me këtë cilësi si kjo që ka shfaqur në Triple 9, atëherë besoj që do të jetë goxha e shkurtër. John Hillcoat nuk është shumë më i arrirë, por bën punë më të mirë se Cook.

Aktrimi nuk lyp diçka të veçantë. Në rregull, mund ta veçoj Kate Winslet që sjell një karakter sovjetik në ekran. Chiwetel Ejiofor e Aaron Paul nuk kanë shumë kohë para kamerave, por nuk dëshpërojnë. Anthony Mackie e Casey Affleck bëjnë punë të mirë, e Woody Harrelson është Woody tipik. Aktrimi është i mirë, dhe ndoshta ka edhe disa skena të realizuara mirë, ama megjithatë filmi është zhgënjim.

Traileri dhe përshkrimi i shkurtër zyrtar kanë premtuar më shumë. Zhgënjim total. Nota personale: 2/5

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article

colonia

Nuk jam i njohur shumë me punën e Florian Gallenberger, por nëse hulumtojmë pak për filmat që ka bërë vërejmë se ka dëshirë të merret me ngjarje të veçanta nga këndet më të ndryshme të botës. Duket se John Rabbe do të jetë filmi i radhës që do të shoh nga ai. Por, këtu do të përqendrohemi tek filmi Colonia.

Daniel është një aktivist i të drejtave të njeriut që aktualisht gjendet në Kili. Lena është stjuardese dhe e dashura e Danielit, e cila ka ardhur për vizitë tek ky i fundit. Të nesërmen ndodh puçi i Pinoçes i cili shtypi çfarëdo lëvizjeje përfshirë edhe atë të Danielit. Ky i fundit arrestohet dhe dërgohet në kampion Colonia Dignidad i cili menaxhohet nga një predikues gjerman i njohur si Paul Schafer (jo frontmeni i bendit të David Letterman). I njohur si kampi nga i cili nuk ka dal njeri, Colonia paraqet një mision të pamundur për Lenën.

Daniel portretizohet nga Daniel Bruhl i cili ka dëshmuar veten në disa filma para këtij. Në anën tjetër, ndoshta nga të qenurit një potterhead masiv, akoma nuk mund të largoj imazhin e Hermione nga fytyra e Emma Watson. Por, këtu ku ajo ka një hapësirë shumë më të madhe në krahasim me disa nga filmat pas epokës së Harry Potter. Dhe për mendimin tim ajo kap çdo moment që i ofrohet në këtë film duke portretizuar një karakter shkëlqyeshëm. Kësaj dysheje për kah aktrimi nuk i ikën as Michael Nyqvist që sjell Paul Schaffer. Ndoshta ai arrin të vjedh goxha shumë nga dritat e skenës me punën e tij të shkëlqyeshme. Goxha i ndihmon filmit dhe shtjellimit të tregimit, e bën atë që është.

E Colonia mbetet një film me një temë mjaft shqetësuese të sjell për merak në ekran filmik. Jo kushedi çfarë filmi, por megjithatë nuk dëshpëron. Nota personale: 3/5

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article

whiskey tango foxtrot

Imazhi i Tina Fey si dikush që gjithnjë të bën të qeshësh sigurisht është i krijuar në mendjen e shumicës që kanë përcjell SNL e 30 Rock. Mirëpo, që jeta nuk është vetëm të qeshura e dëshmon edhe Tina Fey e cila arrin të mbërthej të dy anët e njeriut në të njëjtin film. Për më tepër ajo sjell edhe luftën nga sytë e atyre që e sjellin atë para syve tanë.

Pra, WTF nuk është vetëm komedi me ngjarje qesharake nga jeta e Kim Baker derisa punonte në Afganistan, ashtu siç ka qenë përshtypja ime e parë. Është një biografi goxha personale që përfshin një periudhë të caktuar profesionale në jetën e karakterit kryesor. Tregimi arrin të mbështjellë në të njëjtën sarme të gjitha problemet dhe të mirat eventuale të jetës së një reportereje në një ambient jostabil paslufteje.

Kim vendoset të raportoj nga Afganistani në kërkim të diçkaje të re nga karriera e saj, provon të mbaj në nivel punën e saj, të mbijetoj në botën e gazetarisë, dhe në botën reale. Provon të kuptoj ndryshueshmërinë e botës, të ndryshoj për të mirë atë në mënyrën e saj – duke transmetuar atë tek sytë e të tjerëve. Në këtë mision ajo ndihmohet goxha shumë nga karakteri lokal – Fahim.

Gjatë periudhës së saj në Afganistan ajo ka punë me kolegët e saj, Tanja dhe Iain, karaktere të jetësuara nga Margot Robbie e Martin Freeman. Prezent janë edhe një nëpunës vendas që vjen nga Alfred Molina, dhe një gjeneral që vjen nga Billy Bob Thornton. Që të gjitha janë karaktere që kanë të përzier komedinë e dramën, pos karakterit të Molinas i cili na sjell kryekëput vetëm pjesë komike, deri në një masë.

Në këtë dramedi biografike, aktrimi është në nivel me atë që kërkohet. Kuptohet që gjithçka rrotullohet rreth Tina Fey. Nuk dëshpëron as puna pas kamerave e Glenn Ficarra e John Fuqua, të cilët së fundmi i kemi parë tek ‘Focus’.

Si përfundim, Whiskey Tango Foxtrot sjell një tregim goxha real të një gazetare në një ambient si Afganistani. Arrin të mbërthej komedinë me dramën me sukses. Por, pikërisht kjo e bën atë vetëm një film mesatar me emocione të përziera. Sidoqoftë, është një punë e mirë nga të gjithë të përfshirët. Nota personale: 3/5

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article