assassins creed

Assasins Creed (2016) – Recensim

Shumë herë kam provuar të luaj këtë lojë. Po aq herë edhe e kam lënë pa i bërë gjysmë ore në lojë! E di çfarë bëhet fjalë, e di qëllimin e krejt, ama nuk më ka tërhequr kurrë aq shumë! Për dallim prej lojës, filmit i kam kushtuar 2 orë, që është më shumë se sa kam luajtur krejt lojën në total.

Filmi tregon për… a e dini këtë historinë e templarëve/kalorësve të Maltës që kanë zotëruar pasuri e kanë kryer misione fetare të rëndësishme në Mesjetë? Diçka e tillë janë edhe këta ‘vrasësit’. Tashmë të zhdukur, shumica të zaptuar në një lokacion të sigurisë së lartë, thuhet se mbajnë një sekret – atë të mollës së Edenit. Pas kësaj dhe sundimit janë poseduesit e atij lokacioni të cilët me anë të teknologjisë provojnë të futen në kujtimet gjenetike që përmbajnë pjesëtarët dhe pasardhësit e këtij sekti për të lokalizuar mollën në fjalë. Filmi përmban disa udhëtime të këtilla!

Këto udhëtime janë përplot aksion me Kallumin (Michael Fassbender), aksion që gërshetohet njëkohësisht me epokën mesjetare dhe atë moderne. Është një kombinim fascinues, ama asgjë i veçantë. Pastaj notojmë pak në histori, me të cilën edhe nis vet filmi, ka momente të qeta, muhabete, provon të zhvillohet një histori, një synim. Megjithatë krejt kjo përfundon si dështim, për mendimin tim.

Pos Fassbender në rolet kryesore vijnë edhe Marion Cotillard e Jeremy Irons. Të dy luajnë rolin bijë e babë dhe janë ata që shfrytëzojnë ‘vrasësit’ në tentim për të lokalizuar mollën. Edhe një aktor i preferuar për mua, Brendan Gleeson, është pjesë e kastit edhe pse në sasi të vogël. Por, asgjë nuk ndihmon filmin të kaloj mesataren. Në fakt mbetet nën të, larg pritjeve me gjasë.

Por, ata që e kanë luajtur lojën, si dhe fansat e filmave aksion, sidomos atyre me ninxha (diçka që mund tu kujtoj, por që s’është) do ta shohin. Ndoshta edhe s’do të zhgënjehen sikur unë. Nota personale: 2/5

You might also like