Recensime Filmash

Amy (2015) – Recensim

Domethënë të bësh një dokumentar të përsosur zakonisht të duhen pesë vite?! Kaq duket se i duhen Asif Kapadias.

Regjisori i njohur për dokumentarin ‘Senna’, dhe dokumentarët ‘The Returned’ e ‘The Warrior’ sjell një dokumentar tjetër biografik, që pritet të jetë ndër konkurrentët për dokumentarin më të mirë të vitit. Dokumentari i radhës i Kapadias ka të bëj me yllin britanik Amy Winehouse, e cila kishte ndërruar jetë si rezultat i mbidozës.

Tashti më duhet të bëj një dëftim para se të vazhdoj të jap mendimin tim rreth këtij filmi. Jam goxha paragjykues ndaj atyre që vdesin nga mbidoza. Por, nëse e studioni më shumë varësinë nga narkotikët dhe varësit e ndryshëm atëherë do të arrini të gjeni një pikë arsyetimi pse njerëzit kalojnë në varësi, e disa edhe vdesin nga to. Edhe tek Amy Winehouse gjejmë arsyetime. Ndoshta edhe të mjaftueshme.

Dokumentarët biografik nuk sjellin vetëm një tregim sipërfaqësor, por, kryesisht futen thellë në personalitetin e karakterit kryesor që portretizojnë. Edhe tek ‘Amy’ regjisori na fut thellë në jetën e saj, fatkeqësisht të shkurtër, duke provuar të sjell të gjithë faktorët që shpien tek fundi tragjik, dhe ata që ndikojnë në farkëtimin e një karriere të tillë.

Nga dokumentari, që është i mbushur me këngë të njohura, dhe më anonime të Amy Winehouse, mësojmë më shumë gjëra për personalitetin e saj, diçka që nuk na kanë sjell mediat më parë. Është e vërtetë që tregimi për një të vdekur ka jehonë ndryshe nga tregimi për një të gjallë, sidomos nga personat më të afërt. Por, sinqeriteti i komenteve pas vdekjes, pothuajse vazhdimisht është në sinkronizim vërtetësie me tregimet edhe para vdekjes së Amyt. Personat që flasin për të, na japin një vështrim tepër personal, privat në jetën e Amy Winehouse. Dhe ky invadim privatësie nuk kufizohet vetëm tek tregimet e tyre, por vazhdon me imazhet dhe incizimet, kryesisht amatore, gjatë jetës së Amyt.

Fajtorë për mbidozë janë vet ata që pësojnë, sipas rregullit gjeneral, ama faktorët që ndikojnë tek ky përfundim janë edhe të jashtëm. Mediat, familja, vet shoqëria dhe formësimi i saj dekadave të fundit nuk mund të mbiemërohen me ndërgjegje të pastër. Për të mos dhënë të gjitha informatat e filmit, do të ndalem vetëm tek e para.

Craig Ferguson është një nga njerëzit e preferuar të mi. Si autor dhe moderator i Late Late Show, pati refuzuar të ndjek të tjerët në profesionin e tij dhe të bëj shaka me Britney Spears kur ishte regjistruar në rehabilitim pas problemeve psikike. Si një ish-i varur nga alkooli e dinte çfarë është të jesh i varur. Në mesin e gjërave antagoniste janë edhe disa skena të komikëve që bëjnë shaka me gjendjen shëndetësore të Amy Winehouse. Por, nuk janë të vetmet. Këto na rreshtojnë në anën e Amyt. Së paku mua, por dyshoj që një shikues racional do të renditej ndryshe.

Ajo çfarë mësojmë nga ky dokumentar i realizuar për mrekulli është që Amy Winehouse, pos talentit për të kënduar, kishte edhe të metat e saja. Këto të dytat ia mohuan botës njërin nga zërat më të veçantë që kishte njohur muzika dekadën e kaluar. Nota personale: 5/5

Luan Morina
Kritik filmi