Filma Recensime Filmash

American Sniper (2014) – Recensim

Clint Eastwood sjell edhe një film të përqendruar rreth një karakteri heroik, diçka që ka arritur ta bëj me sukses kohëve të fundit. Por, ajo çfarë e bën të veçantë ‘American Sniper’ është ngjarja e vërtetë në të cilën është bazuar e cila vjen kryesisht nga një pikëpamje që mund të vërehet si nga titulli ashtu edhe nga posteri. Filmi flet për snaiperistin amerikan, Chris Kyle, në librin autobiografik të të cilit edhe është bazuar ky projekt.

Filmi ka hasur në dy anë të audiencës, ata që mendojnë se është vetëm edhe një film patriotik amerikan, dhe atyre që u ka pëlqyer filmi si realizim interesant i një tregimi ngazëllues bazuar në një histori të vërtetë. Personalisht unë bëj pjesë në këtë grupin e dytë të cilët ‘American Sniper’ nuk e vlerësojnë si një produkt tjetër patriotik, propagandë për SHBA-të dhe luftërat e tyre. Për mendimin tim është një tregim i shtjelluar në mënyrë të shkëlqyeshme nga Clint Eastwood, mënyrë të cilën e preferoj në krahasim me atë të Spielbergut i cili ka lënë projektin për mospajtimet në lidhje me hapësirën që do të duhej të kishte në film antagonisti, një snaiperist irakian. Mendoj që një shtjellim i tij do ta bënte filmin një duel snaiperistësh dhe nuk do të ishte më mirë i realizuar se sa ky version.

‘American Sniper’ të kujton në masë të madhe ‘The Hurt Locker’. Paralelet ndërmjet këtyre dy filmave janë të dukshme, duke u nisur nga karakteret kryesore që kanë si qëllim shpëtimin e jetëve të bashkëluftëtarëve të tyre, vuajtjet e tyre për adaptim në botën tjetër larg luftës, e përfshirë edhe tregimin për sakrifikimin e jetës së një fëmije për kauzë më të madhe. Filmat janë të ngjashëm në shumë aspekte, me dallimin kryesor në profesionin e karakterit kryesor ku te ‘American Sniper’ kemi një snaiperist, derisa tek ‘The Hurt Locker’ kemi një çmontues bombash. Sidoqoftë, të dy filmat kanë origjinalitetin e tyre në një shkallë, dhe janë të goxha të mirë, secili në mënyrën e vet.

Bradley Cooper vjen përsëri në një rol interesant, duke u puthitur me karakterin që portretizon për mrekulli. Talenti i tij është hedh në pah shumë herë viteve të fundit, gjë që e dëshmojnë gjithë ato nominime për Oskar. Por, interesante dhe për tu veçuar është aktrimi i Sienna Miller. Duhet pranuar që ka qenë një vit i mirë për të, dhe role tepër të mira me paraqitje të shkëlqyeshme, si këtu, si tek ‘Foxcatcher’.

Në përgjithësi, ‘American Sniper’ është një tregim intrigues, me plot emocione, realizuar për mrekulli nga legjendari Clint Eastwood që përkundër moshës po arrin të sjell edhe nga dy tituj për çdo vit! Nota personale 5/5.

Luan Morina
Kritik filmi