Seriale

American Housewife – Sezoni 1

Komeditë e reja nuk hezitoj ti nis. Ngjashëm ngjau edhe me këtë seri për të cilën nuk kisha pasur asnjë informatë paraprake. Vështrimi i parë mbi ansamblin e serisë, mbi familjen e kësaj shtëpiake amerikane mjafton që të kryesh episodin e parë, e më pas edhe sezonin e parë, dhe të presësh të dytin në vjeshtë.

‘Mike and Molly’ ka qenë njëra nga komeditë më të nënçmuara në televizion. E kuptoj këtë nënçmim pasi ka qenë më ndryshe nga të tjerat. Për mua ka qenë ndër më të mirat e viteve të fundit. Dhe nga kjo seri këtu kemi motrën e Mollyt, njërën nga të dashurat e shumta të Charlie Harper, Katy Mixon.

Ajo vjen në rolin e shtëpiakes e cila rrëfen jetën e saj në një lagje më të përsosur se familja e saj. Kejti ka tre fëmijë dhe një burrë ligjërues, shkrimtar. Fëmija i parë, e bija e madhe është një volejbolliste, një vajzë tipike. Fëmija i dytë, djali i vetëm është një fëmijë ambicioz, i vetmi i përshtatshëm me lagjen ku jeton. Ka aspirata, një mentalitet ndërmarrësi, delja e zezë e familjes. Dhe fëmija i tretë, e bija e vogël, Anakat është më e çuditshmja. Si dhe më e lezetshmja. Ka qenë një nga karakteret fëmijë më të mirë në televizion viteve të fundit.

Ndërkohë bashkëshortin, Gregun të portretizuar nga Diedrich Bader personalisht e kam njohur në serinë ‘Outsourced’. Kryesisht huazon zërin për seri të animuara, filma po ashtu. Të dy kanë një harmoni të bukur skenike. Të pestit e bëjnë një familje të shkëlqyeshme, të përshtatshme përkundër të gjitha dallimeve.

Kejti ka edhe nja dy shoqe, dhe shumë armike. Kanë fqinjë, kanë familjarë. Të gjithë këta vijnë kohë pas kohe për të ndezur aromën e komedisë nëpër episode të ndryshme. Por, nuk janë të domosdoshëm. Si familje kanë qenë të përkryer. Mund të them se ka qenë njëra ndër komeditë më të mira të reja këtë sezon. Në mos edhe më e mira. Nota personale për sezonin e parë: 5/5