Seriale

American Gods – Sezoni 1 (me spoilera)

“Send spo marr vesh, amo m’knaqi” – ka qenë një prej komenteve ma interesante që kom pa tek TVShowTime. Komik edhe i vërtetë!

Seri televizive shumë e përzier. Dhe pas sezonit të parë duket se vetëm sa kemi nisur të gërvishtmi sipërfaqen e kësaj historie. Së paku ashtu po duket. Potenciali është aty, se çfarë do të bëjnë producentët e skenaristët mbetet të shihet.

“Një leprikon, një mysliman homoseksual, edhe një grua e vdekur, futen në një bar…” dhe këta janë vetëm një pjesë e karaktereve të zotave në këtë seri. Ajo çfarë lidhet është gruaja e vdekur, e cila ringjallet pas një aksidenti bizar. Ajo është e martuar me Hijen i cili ka qenë i burgosur në kohën e vdekjes së saj. Ai rekrutohet nga një njeri i dyshimtë i cili duket se është në mision për të mbledhur zotat. Ky njeri i quajtur e mërkura, nisen në një udhëtim i cili si ndalesë të parën ka një zot sllav. Kjo është vetëm një nga ato pikat maksimale, të cilat shfaqen në çdo episod.

Çdo episod merret me disa karaktere, duke mos anashkaluar as historinë e tyre, sidomos ajo për prejardhjen e leprikonit irlandez, e edhe ajo e Laurës – gruas së vdekur të Hijes. Dhe ka shumë histori për të gërmuar, të tashme për tu shpjeguar, prandaj them se është vetëm fillimi i një bote që akoma nuk i kemi grisur as letrën mbështjellëse.

E për momentin, kjo botë fantastike po shkëlqen në të gjitha aspektet e mundshme. Aktrimi është fenomenal, edhe pse shumica e kastit të aktorëve nuk kanë ndonjë bagazh të madh të përvojës në ekran. Skenari është i shtjelluar për merak duke ndërlidhur tregimet e historitë pa boshllëqe. Realizimi teknik sjell pamje mahnitëse që të kënaqin çdo epsh kinematografik.

Kapaciteti, potenciali, janë aty për tu bërë një super-seri, nëse gjatë rrugës nuk hedhin ndonjë hap fals. Sezoni i parë ka qenë i përkryer. Nota personale: 5/5